Sibel Vezaj
14 Dhjetor 2016•Përditësim: 15 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Komisioni për Integrime Evropiane i Republikës së Kosovës, priti sot në takim, udhëheqësen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese Speciale e Zyrës së Be-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi bëhet e ditur se në këtë takim para anëtarëve të komisionit, përfaqësuesja speciale e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, prezantoi Raportin e Progresit dhe të gjeturat e Zyrës së BE-së për Kosovën për vitin 2016.
Sipas Apostolovës, viti 2016, ka qenë një epokë për Kosovën, ku ajo theksoi se pamjet e dhunshme në Kuvend i dhanë imazh të keq vendit në dy vitet e fundit.
“Polarizimet në mes të qeverisë dhe opozitës që shpesh herë kanë eskaluar edhe në dhunë, është në kundërshtim me frymën evropiane. Kuvendi është vendi ku liderët politik duhet të tregojnë përgjegjësi për votuesit e tyre”, ka thënë Apostolova.
Ajo po ashtu ka shprehur se duhet bashkëpunim më të madh në mes deputetëve, dhe u bëri thirrje listës serbe, që të kthehen në Kuvend dhe të kontribuojnë për përfaqësuesit e tyre. Apostolova, kritikoi edhe Kuvendin e Kosovës për mospërfilljen e procedurave gjatë miratimit të ligjeve.
Ndërkaq, për pyetjet nga anëtarët e komisionit lidhur me murin e ndërtuar në pjesën veriore te Mitrovicës, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, përfaqësuesja e BE-së, tha se ”BE-ja ndërton ura jo mure, ndërkaq, muri që është ndërtuar ne veri të Mitrovicës nuk është projekt i BE-së. Nga ajo që kam vëzhguar, kjo është çështje që duhet të vendoset në dialog mes kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të BE-së”.
Kurse duke folur për liberalizimin e vizave, Apostolova theksoi se janë bërë përmirësime në fushën e gjyqësisë, por shtoi se ”Duhet të përmbushen dy kriteret, ai për demarkacionin dhe luftimi i korrupsionit”.
Në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Apostolova theksoi se ky dialog duhet të vazhdojë dhe se deputetët duhet të tregohen konstruktiv në raport me të.