Zülfiya Yakup
29 Nëntor 2016•Përditësim: 30 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjashtë komuna të rajonit të Prishtinës kanë prezantuar planin e veprimit për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Braathu kujtoi se kryetarët e komunave të Prishtinës, Graçanicës, Shtimes, Lipjanit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit, në prill të këtij viti kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për promovimin e dialogut ndër-komunal në mes të komuniteteve. Kjo deklaratë i obligon, shtoi Braathu, duke siguruar fonde për projekte të përbashkëta dhe aktivitete që kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
"Këtu, para së gjithash, bëhet fjalë për bashkëpunim ndërmjet komunave, më saktësisht në mes të gjashtë komunave të rajonit të Prishtinës, por gjithashtu bëhet fjalë edhe për ndërveprimin dhe dialog midis komuniteteve, që është thelbësor. Kjo është esenciale për individët, për komunat, si dhe për Kosovën", tha Braathu.
Ambasadori vlerësoi se bashkëveprimi aktual mes komuniteteve është ndikuar në një farë mënyre nga disa ngjarje në të kaluarën, por tha se duhet të shikojnë të ardhmen dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira për të ardhmen. Shefi i Misionit të OSBE-së theksoi se plani i veprimit parashikon të rrisë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje në nivel komunal, sidomos kur dihet se 50 për qind e popullsisë së Kosovës janë nën moshën 25-vjeçare.
Planin e veprimit për bashkëpunimin mes komuniteteve, i cili do të zbatohet nga të rinjtë e komunave të sipërpërmendura, e prezantuan Mevlude Zejnullahu, zyrtare e komunës së Prishtinës dhe Ivan Stojkoviç, zyrtar i komunës së Graçanicës.
Zejnullahu theksoi se plani parashikon organizimin e kampit rinor me qëllim të përmirësimit të komunikimit mes komuniteteve, dhe se është planifikuar fshirja e grafiteve me mesazhe fyese, për të parandaluar prishjen e tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare.
"Në Obiliq do të formohet një grup i të rinjve, të cilët në fillim do të gjejnë mbishkrime me mesazhe ofenduese në vende të ndryshme publike, dhe pastaj do të zëvendësohen me grafite që përmbajnë mesazhe pozitive. Këto mbishkrime do të kenë edhe vlera artistike, sepse komunat mund të angazhojnë artistë, të cilët do të punojnë së bashku me të rinjtë për të pikturuar mbishkrime të reja me mesazhe pozitive për të gjitha komunitetet", tha ajo.
Gjithashtu do të organizohet edhe muaji i filmit në kampin e të rinjve. Këtë organizim e ka marrë komuna e Shtimes, dhe të rinjtë pas shfaqjes do të diskutojnë për filmat e shikuar, të cilat promovojnë diversitetin në shoqëri.
Ivan Stojkoviç tha se komuna e Graçanicës do të punojë për promovimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare. "Në praktikë, ligji për përdorimin e gjuhëve zbatohet pjesërisht për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe financiare, të cilat janë shoqëruar shpesh nga mungesa e vullnetit politik. Mendoj se kjo është e rëndësishme dhe se duhet të ndikojë te përfaqësuesit politikë për të inkurajuar lidershipin e tyre që të ndikojnë në aprovimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare në nivele sa më të larta", tha Stojiljkoviç.
Ai theksoi se komuna e Obiliqit ka marrë përsipër organizimin e marshit të tolerancës ku do të marrin pjesë të rinjtë nga këto gjashtë komuna, dhe vuri në dukje se në nxitjen e dialogut ndërmjet komuniteteve duhet të përfshihen edhe ata me nevoja të veçanta, të cilët në Kosovë janë rreth 150.000.