Saimir Alija
07 Tetor 2018•Përditësim: 08 Tetor 2018
TIRANË (AA) - Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues, 350 nga të cilët të huaj, nga 40 shtete të ndryshme, garuan në tre kategori: “We too”, “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”, në edicionin e tretë të Maratonës së Tiranës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kategorinë “Half Marathon” (21, 0975 km) fitues u shpallën Abel Kibet Rop nga Kenia dhe Luiza Gega nga Shqipëria.
Ndërsa fituesit e garës në kategorinë “Tirana 10K” ishin, Nelson Kipkogei nga Kenia dhe Ruth Nundu Mbatha po nga Kenia. Fitues i garës për personat më aftësi të kufizuara, “We Too” u shpall Bledar Suxha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa i dorëzoi çmimin fitueses së garës prej 21 kilometra për femra, Luiza Gegës, deklaroi se Tirana fitoi gjithashtu garën e saj sa i përket organizimit dhe festës sportive.
Ndërsa ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila i dorëzoi çmimin e parë fituesit të garës 21 km për meshkuj, vlerësoi organizimin e kësaj maratone që i ka dhënë qytetit një emër pozitiv në botë.
“Është fitore e madhe për qytetin, për Shqipërinë. Ndaj, kjo krenari e rimit të punëve të qytetit po përcillet edhe një standard i ri në organizimin e maratonës, kësaj energjie, këtij shpirti gare, por edhe një jete të shëndetshme përmes sportit”, tha Nikolla.
Me këtë maratonë synohet që të përfshihet kryeqyteti i Shqipërisë në hartën e maratonave që organizohen në shumë qytete të botës.
Për mbarëvajtjen e kësaj maratone Policia Bashkiake e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit Shqiptar, morën disa masa.