Figen Shaban
14 Gusht 2017•Përditësim: 15 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) – Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Adem Mikullovci ndërpreu vazhdimin e seancës konstituive për shkak të mungesës së deputetëve nga koalicioni PAN, ku pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, pas një pauze të shkurtër hapi seancën e sotme ku në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e koalicionit PAN ndërsa të pranishëm ishin 53 deputetë.
Mikullovci i cili ndërpreu seancën për shkak të mos prezencës së deputetëve nga koalicioni PAN, theksoi se do të mbahet një takim konsultativ ditën e mërkurë me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve të subjekteve politike.
Përfaqësuesi i Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë fjalimit të tij kërkoi që të zhvillohet një debat politik mes deputetëve të pranishëm në seancë për gjendjen e krijuar në vend.
“Është fare e qartë se qeveria e ardhshme e Kosovës ka dy alternativa. Ose do t'i ketë 81 vota në krye me Vetëvendosje ose do t'i ketë 59 vota në krye me PDK-në. Tashmë as që dua të harxhoj kohë që të shpjegoj se cila qeveri i duhet vendit tonë sepse këtë e kupton çdo qytetar i Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
Ndërsa, përfaqësuesi i koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA), Avdullah Hoti gjatë fjalimit të tij kujtoi se në seancën e kaluar e ka bërë të qartë që koalicioni që ai përfaqëson është duke punuar në sqarimin e bazës juridike për dy pyetje që duhet t'i dërgohen Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Hotit pyetja e parë është se çfarë duhet bërë kur me mospjesëmarrjën në seancë dhe me mosprezantimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit konsumohet e drejta kushtetuese për të pasur kryetarin e Kuvendit dhe e dyta në rast kur një kandidat që propozohet nuk e merr mbështetjen e nevojshme.
“Grupi ynë parlamentar është duke punuar në organizimin e një debati të partive politike të LDK-AKR-Alternativa ku brenda grupit tonë do të ftojmë Vetëvendosjen dhe të gjitha minoritetet dhe të ulemi bashkë sa më shpejtë që është e mundshme për ta sqaruar bazën juridike për këto dy pyetje dhe për t'u dakorduar për aq sa është e mundshme për të ndërrmarrë hapa konkret drejt zhbllokimit dhe themelimit të institucioneve të vendit”, u shpreh Hoti.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është pika e vetme, pra zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të tij ishte shtyrë edhe më 3 gusht dhe 4 gusht për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN) në këtë seancë.
Ky koalicion sipas Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, si grupi më i madh parlamentar dhe fitues i zgjedhjeve të fundit parlamentare të 11 qershorit, duhet të propozojë kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit.
Kujtojmë se më 11 qershor vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Pas disa javësh, më 8 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, sipas së cilës koalicioni PAN fitoi 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë e minoriteteve.