Sibel Vezaj
22 Shkurt 2017•Përditësim: 23 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Zyra e Kryeministrit, përkatësisht Zyra për Qeverisje të Mirë, pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Qeverisë mbi Standardet Minimale, sot organizoi në konferencë për lansimin zyrtar të Platformës Online për konsultime publike. Kjo platformë është pikë e vetme e qasjes për të gjitha konsultimet publike të kryera nga organet publike mbi projektligjet, koncept dokumentet, dokumentet strategjike dhe aktet e tjera që i nënshtrohen konsultimeve publike, në përputhje me Rregulloren, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij theksoi rëndësinë e kësaj platforme për të krijuar një ndërlidhje funksionale ndërmjet dokumenteve të cilat Qeveria i adreson dhe konsultave publike, me shoqërinë civile, qytetarët, me organizatat tjera të pavarura.
Sipas tij, në këtë mënyrë do të mundësohet komunikimi mes organeve publike me qytetarët si dhe do të rritet transparenca dhe përgjegjësia e organeve publike ndaj palëve të publikut.
“Qëllimi i kësaj platforme është që të ndihmojë ministritë dhe agjencitë qeveritare të Republikës së Kosovës për të lehtësuar procesin e konsultimeve publike me përfshirje më të gjerë të autoriteteve publike dhe jo qeveritare, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve relevantë që janë përgjegjës për bërjen e politikave vendimamarrëse”, tha Mustafa.
Kurse Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë gjatë kësaj konference tha se Platforma Online për konsultime publike çon në krijimin e politikave më të mira dhe rrit besimin e qytetarëve në punën e institucioneve publike. Ajo shtoi se Kosova është një prej vendeve të para në rajon e cila po e transpozon këtë rregullore të BE-së.
“Qëllimi i konsolidimit publik apo i shkëmbimit të informatave me publikun është që të sigurohet transparencë, llogaridhënie dhe pjesëmarrje të të gjithë shoqërisë civile, e cila pastaj forcon legjitimitetin e politikbërjes në Kosovë. Përfshirja e qytetarëve dhe shoqërisë civile në politikbërje është vlerë fundamentale e BE-së dhe e qeverisjes së mire”, tha Apostolova.
Ndërkaq, Valdete Idrizi, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, i cili është një forum i hapur për të gjitha organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, tha se lansimi dhe funksionalizimi i kësaj platforme është një hap i rëndësishëm në procesin e politikbërjes, si dhe në avancimin e një mjedisi më të favorshëm për bashkëpunim mes shoqërisë civile dhe institucioneve të shtetit.
“Të arrijmë që të kemi një konsultim të shëndoshë ku vetë qytetari edhe ne si aktorë të rëndësishëm në këtë shoqëri si sektor të ndihemi që me të vërtetë jemi të dobishëm dhe që kontributet tona për projektligje me të vërtetë të kenë një trajtim të dinjitetshëm nga ana e institucioneve”, tha Idrizi.
Platforma u zhvillua me mbështetjen e projektit dy vjeçar të financuar nga BE-ja “Mbështetja e zbatimit të strategjisë së qeverisë për bashkëpunim me shoqërinë civile”, e cila synon të përmirësojë kapacitetin e Qeverisë së Kosovës në krijimin e bashkëpunimit efektiv me shoqërinë civile në përmbushjen e reformave ekonomike dhe sociale.