Husamedin Gina
06 janar 2022•Përditësim: 07 janar 2022
Besimtarët e krishterë ortodoksë në Maqedoninë e Veriut sot kremtojnë Buzmin, një ditë para Krishtlindjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast, besimtarët në Maqedoninë e Veriut tradicionalisht festën e Buzmit e kremtojnë duke u tubuar në tempujt e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM), e cila filloi me himnin e dhe ngritjen e flamurit të Buzmit.
Në manifestimin e Kishës "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup morën pjesë një numër i madh i qytetarëve, ndërsa priftërinjtë e kishës bënë shugurimin e degëve të pemës së Buzmit.
Pasi u shuguruan degëzat e Buzmit, ato iu shpërndanë besimtarëve.
Në kuadër të festës tradicionale të Buzmit, e cila këtë vit u mbajt për të 30-tën herë, kreu i KOM-it, Stefani, ua dorëzoi kavanozin e Buzmit kumbarëve të rinj, të cilët mbërritën në festë me karroca, si dhe u shugurua pogaçja.