Agim Sulaj
28 Nëntor 2020•Përditësim: 29 Nëntor 2020
Për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar shqiptar, në sheshet e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, po valviten flamujt kuq e zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Edhe pse në kohë pandemie dhe me masa për parandalimin e virusit, sot në Kosovë do të mbahen disa aktivitete për të shënuar 108-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Kryeministri i Kosovës, i cili tha se 28 Nëntori është ditë feste për të gjithë shqiptarët, e ka nisur këtë ditë me homazhe në shtatoret e shesheve të kryeqytetit, ndërsa nga aty u nis për në Prekaz për të nderuar familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Sot është ditë feste për çdo shqiptar, është festë kombëtare. Tash do të vazhdojmë për në Prekaz, në vendin e shenjtë, për të treguar nderime ndaj tyre dhe ndaj gjithë atyre që kanë kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë ne sot”, tha Hoti.
Në qendër të Prishtinës për nder të kësaj dite ku Shqipëria feston përvjetorin e pavarësisë e cila u shpall më 1912 në Vlorë, pritet që gjatë ditës të mbahen edhe paraqitje të ndryshme kulturore-artistike.
Nëpërmjet një sqarimi të bërë publik nga kryeministri Hoti të premten, është thënë se dita e hënë do të jetë ditë e rregullt pune “në përputhje me masat anti-Covid të ndërmarra nga qeveria”, përkundër që tradicionalisht institucionet në Kosovë kanë pushuar një ditë pune për 28 Nëntor.
“Aktivitetet për shënimin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, do të zhvillohen nesër (e shtunë), po ashtu në përputhje me masat e vendosura nga qeveria”, theksoi të premten Hoti.