Dzihat Aliju
17 gusht 2026•Përditësim: 17 gusht 2026
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës janë zhvillime të mirëseardhura, që ndihmojnë edhe më tej integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të vendit, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani, shprehu mirëseardhje për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës.
"Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës janë zhvillime të mirëseardhura, që ndihmojnë edhe më tej integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të vendit tonë", theksoi ajo.
Sipas saj, për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës.
"Prandaj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh. Përkundër vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vendin tonë", theksoi ajo.
Osmani shprehu mirënjohje për të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite për të arritur deri këtu, e në veçanti për Policinë e Kosovës, e cila vazhdon të mbajë sipas saj barrën kryesore për sigurinë në çdo pëllëmbë të territorit dhe për çdo qytetar të vendit.