Agim Sulaj
22 Qershor 2021•Përditësim: 23 Qershor 2021
Kosova dhe Italia kanë nënshkruar marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimin në të ardhura dhe parandalimit të evazionit fiskal dhe shmangies, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri për Punë, Transfere dhe Financa i Kosovës, Hekuran Murati dhe ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, në prani të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi Di Maio i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ministrja Gërvalla-Shcwarz e konsideroi marrëveshjen si të rëndësishme dhe se do të kontribuojë për ta bërë bashkëpunimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Italisë shumë më pak burokratik dhe shumë më të lehtë, si dhe do të kontribuojë për një mjedis edhe më të mirë për investimet italiane në Kosovë.
“Kjo është vetëm një provë tjetër e bashkëpunimit dypalësh dhe ne po konsiderojmë të avancojmë bashkëpunimin duke hapur rrugën për marrëveshje të mëtejshme si për shembull njohja reciproke e patentë shoferit, procesi i suksesimit, marrëveshje për bashkëpunimin kulturor dhe më shumë”, tha Gërvalla-Schwarz.
Ajo tha se në takim gjithashtu kanë diskutuar edhe çështje politike si dhe situatën me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), ndërsa janë pajtuar të takohen edhe në Romë gjatë kësaj jave për të diskutuar për luftën kundër “terrorizmit global”.
Ministri italian, nga ana e tij, tha se vendi i tij është gjithmonë pranë Kosovës në rrugën e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike, të rritjes ekonomike, të përforcimit të rendit dhe sundimit të ligjit.
Ai tha se sot në takim me homologen kosovare diskutuan për atë se si të zgjerojnë bashkëpunimin dypalësh për rrugëtimin evropian të Kosovës.
“Ky instrument operativ (marrëveshja) do të ndihmojë kompanitë italiane që të jenë më të pranishme në tregun e Kosovës dhe do t’u lejojë kompanive të Kosovës që të shohin Italinë si bazë për ndërkombëtarizimin e tyre dhe si bazë për integrimin në tregun e përbashkët evropian”, tha Di Maio.
Tutje, ministri italian tha se ka shprehur mbështetje për vazhdimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, duke inkurajuar “Kosovën të vazhdojë përpara për të pasur rezultat”. Sipas tij, lehtësimi i këtij procesi nga BE dhe mbështetja nga SHBA është përkrahje e madhe.
Ministri italian gjithashtu gjatë vizitës së tij në Kosovë do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa pasdite ai do t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalë rasti në një seancë të veçantë në Kuvendin e Kosovës.