Fatjon Cuka
07 Tetor 2019•Përditësim: 07 Tetor 2019
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, kanë reaguar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Meta në rrjetet sociale ka shkruar se zgjedhjet e djeshme në Kosovë, ishin "një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë."
"Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë", shkruan Meta.
Kryeministri Rama në një reagim në rrjetet sociale shprehet: "Sa më e mbarë dita e re për Kosovën".
"Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare. Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit", shkruan Rama.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor (KSHZ) nga gjithsej 96,07 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25,77 për qind vota kundrejt Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka siguruar 25,08 për qind vota. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta me 21,17 për qind vota.