Agim Sulaj
28 Gusht 2025•Përditësim: 28 Gusht 2025
Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës zgjodhën katër nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e tre partive më të mëdha shqiptare në parlament dhe nga partitë e komuniteteve joshmicë joserbe, por, nënkryetari nga radhët e komunitetit serb nuk u votua as në seancën e dytë, raporton Anadolu.
Për shkak se kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga Lista Serbe, Slavko Simiq, tre herë nuk i mori votat e nevojshme për t'u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit në seancën e 26 gushtit dhe Lista Serbe nuk dëshiron të propozojë tjetër emër, propozimet për emrat e rinj u bënë me short.
Të gjithë kandidatët e Listës Serbe të rënë në short nuk morën asnjë votë për, deri kur erdhi radha për deputetin serb që nuk është pjesë e Listës Serbe, Nenad Rashiq.
Nga 98 deputetë të pranishëm në sallë, Rashiq mori 56 vota për, një kundër dhe 20 abstenime.
Pas dështimit për herë të dytë që Rashiq të zgjidhet nënkryetar, kryetari i Kuvendit Dimal Basha tha se duhen diskutime edhe me partitë tjera për çështjen e votimit të Rashiqit, duke vlerësuar se votat e nevojshme mund të bëhen në vazhdimin e seancës.
"Vlerësoj se deputeti Rashiq në seancën tjetër mund t'i merr votat e mjaftueshme. Është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota për. Meqë diskutimet do të vazhdojnë brenda ditës, administrata do t'ju njoftojë për vazhdimin e seancës", theksoi Basha.
Më 26 gusht, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, me mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas muajsh bllokade, emëruan Dimal Bashën kryetar të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Pas emërimit të tij, deputetët emëruan edhe katër nënkryetarët e Kuvendit, nga gjithsej pesë. Por, ndarja e deputetëve ndodhi kur erdhi radha tek votimi i nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
LVV e cila deri në atë kohë mbështeste me votë të propozuarit, nuk votoi kur Lista Serbe propozoi për kandidat në pozitën e nënkryetarit Slavko Simiq.
Më pas, meqë Lista Serbe nuk e ndërroi kandidatin e njëjtë për tre herë me radhë, nëpërmjet shortit, u propozua Nenad Rashiq, i cili nuk është pjesë e Listës Serbe.
Ky e mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, por jo edhe të PDK-së, gjë që bëri të mos i ketë votat e mjaftueshme për emërim. Pa emërimin edhe të nënkryetarit nga komuniteti serb, Kuvendi i Kosovës nuk konsiderohet i konstituuar.