Fatjon Cuka
14 Dhjetor 2020•Përditësim: 15 Dhjetor 2020
Policia e Shqipërisë gjatë një operacioni në disa zona të Qarkut Vlorë kundër trafikimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike ka arrestuar 27 persona, ndërkohë 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se operacioni është realizuar pas një hetimi gjatë mujor, i nisur nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike".
"Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i një hetimi gjashtëmujor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Hapësira’. Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja e 27 personave, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte caktuar masat e sigurisë ‘Arrest në burg’", theksohet në njoftimin e policisë.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në dhjetëra banesa dhe se sipas policisë gjatë periudhës hetimore gjashtëmujore janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike kanabis sativa, në territoret e bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar rreth 120 kg lëndë e dyshuar narkotike dhe disa armë.
Nga ana tjetër, gjatë ditës së sotme në Tiranë u organizua konferencë e përbashkët mes Policisë së Shqipërisë dhe Policisë italiane, lidhur me rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit gjatë vitit 2020.
Gjatë fjalës së tij në konferencë, drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, tha se në total për vitin 2020, policia realizoi gjithsej 143.844 kontrolle.
Sipas tij, për vitin 2020, janë implikuar 468 persona, ndërkohë janë arrestuar e ndaluar 284 shtetas, si dhe janë konstatuar e asgjësuar 137.216 bimë narkotike.