Admir Fazlagikj
13 Shkurt 2022•Përditësim: 13 Shkurt 2022
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mbajtur për dore 11-vjeçaren Ëmbla Ademi nga Gostivari, vajzën me sindromën down, të cilën ai e ka shoqëruar në shkollën “Edinstvo”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ky është përfytyrimi që ai ndau në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale ditëve të fundit, gjë që shkaktoi vëmendjen e publikut pasi me këtë gjest presidenti Pendarovski dërgoi një mesazh të mbështetjes së të drejtave të fëmijëve me zhvillim jo-tipik.
Rasti “Embla”
Vajza Ëmbla është një fëmijë me sindromën down, e cila në gjysmëvjetorin e dytë shkoi në shkollë me një ditë vonesë. Në vend që të jetë në tavolinat e shkollës së bashku me shokët e klasës, Ëmbla në shkollën fillore “Edinstvo” në Gostivar e ka ndjekur mësimin e vetme. Shkak për këtë, siç është bërë e ditur në publik, është peticioni i dërguar nga prindërit e nxënësve të cilët kanë deklaruar se kanë vendosur që fëmijët e tyre të mos shkojnë në shkollë për shkak të “pengesës së mësimit nga nxënësja Ëmbla dhe për shkak agresivitetit”.
Për këtë rast, Inspektori Shtetëror i Arsimit ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në shkollë, pas çka tha se duhet të ndërmerren masa dhe aktivitete të duhura për përfshirjen e plotë të nxënëses me nevoja të veçanta në procesin arsimor.
Pasi rasti u bë i njohur për opinionin e gjerë, presidenti Pendarovski vizitoi Ëmblan në Gostivar në shtëpinë e saj dhe bisedoi me prindërit e saj për sfidat me të cilat ajo dhe familja e saj po përballen çdo ditë, duke u fokusuar në mundësitë për tejkalimin e tyre.
Pendarovski thotë se ka pasur nder ta ndjejë energjinë e bukur të Ëmblas në shtëpinë e saj dhe në shkollën në Gostivar.
Zyra e presidentit të Maqedonisë së Veriut njoftoi se Pendarovski inkurajoi dhe përkrahu prindërit e Ëmblës në luftën e tyre për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me zhvillim jo-tipik dhe mirëpriti reagimin e shpejtë të Avokatit të Popullit dhe vendimin e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi për hapjen e rastit me Ëmblan.
Presidenti theksoi rëndësinë e respektimit të dispozitave ligjore të gjithëpërfshirjes në arsim, duke theksuar përgjegjësinë sociale, veçanërisht ndaj grupeve të prekura.
“Ne të gjithë jemi të barabartë në këtë shoqëri. Kam ardhur për të dhënë mbështetjen time dhe për të ngritur vetëdijen se përfshirja është parim themelor”, tha presidenti Pendarovski.
Ai iu referua gjithëpërfshirjes si një aspiratë që nuk duhet të mbetet vetëm deklarative, por nëpërmjet praktikës të shfrytëzohen potencialet e personave me zhvillim jo-tipik.
“Paragjykimet në atë kontekst janë pengesa kryesore për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë për të gjithë”, tha Pendarovski.
Sipas tij, ministritë dhe institucionet kompetente kanë detyrim ligjor dhe moral të ofrojnë arsim gjithëpërfshirës ku fokusi kryesor do të jetë zhvillimi i aftësive te fëmijët me procese të ndryshme zhvillimore. Ai po ashtu theksoi nevojën e sensibilizimit të publikut për këto çështje.