Zylfije Adem Jakupi
06 Qershor 2020•Përditësim: 06 Qershor 2020
Qeveria e Kosovës sot hoqi masën e reciprociteti ndaj Serbisë, e cila u vendos nga Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti pas heqjes së taksës 100 për qind të importit të mallrave nga Serbia, raporton Anadolu Agency (AA).
Me sugjerimin e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me shumicë votash të kabinetit qeveritar u anuluan vendimet e qeverisë së mëparshme të miratuara më 20 mars dhe 30 maj për futjen graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë, në vend të taksës 100 përqind të mallrave nga Serbia.
Anëtarët e Qeverisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt votuan kundër këtij vendimi, i cili si kryeministër në dhjetor 2019, futi taksat 100 përqind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Pas seancës së qeverisë, kryeministri Hoti u tha gazetarëve se shfuqizimi i vendimit të mëparshëm për futjen e reciprocitetit heq pengesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Hoti tha se pret të njëjtën gjë nga Serbia.
Ai theksoi se heqja e pengesave nga pala e Kosovës do të jetë e vlefshme për një kohë të caktuar, të arsyeshme, në mënyrë që të sigurojë një shans për dialog, ndërsa partnerët ndërkombëtarë pritet të bëjnë presion ndaj Serbisë. Ai shtoi se në rast se dialogu nuk jep rezultate, Qeveria e Kosovës ruan të drejtën e kthimit të masave.
Ndërkohë, vendimin e sotëm e ka përshëndetur presidenti Hashim Thaçi.
"E mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve", ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Serbia ndërpreu dialogun kur Kosova futi taksat 100 për qind për importin e mallrave të tyre, kurse bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, insistuan në heqjen e tyre në mënyrë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut.
Në të njëjtën kohë, nga Serbia u kërkua që t'i japë fund fushatës së saj agresive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si UNICEF dhe INTERPOL, që ishte arsyeja e futjes së taksës.
Më pas, ish-kryeministri dhe drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vendosi të zëvendësojë taksat me reciprocitet, me të cilin nuk u pajtua Lidhja Demokratike e Kosovës, partner i koalicionit në qeverinë e kaluar, dhe kjo çoi në rrëzimin e qeverisë së Kurtit pas vetëm 52 ditësh.
Kurti hoqi taksat ndaj BeH-së pa futur masat e reciprocitetit.