Fatjon Cuka
08 Korrik 2019•Përditësim: 09 Korrik 2019
Në Shqipëri partitë opozitare kanë rifilluar protestat antiqeveritare, duke kundërshtuar zgjedhjet vendore që u mbajtën më 30 qershor dhe me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë dhe selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nuk është përfshirë nga aktet e dhunës.
Pasi bojkotuan zgjedhjet vendore që u anuluan nga presidenti i vendit, Ilir Meta, partitë opozitare kundërshtojnë procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe rezultatin e tyre, ndërsa kanë bërë thirrje për vazhdimin e protestave.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës në protestë tha se "mijëra protestues në sheshin para Kryeministrisë janë triumfi i shpresës mbi dëshpërimin, triumfi i kurajës mbi frikën, triumfi i popullit mbi qeverinë e keqe.”
"30 qershori ishte një referendum kundër së keqes. Ishte demonstrimi i mrekullueshëm i lirisë, i evropianizimit dhe qytetarisë së shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë të lire, ëndrra për Shqipërinë si Evropa është ende e parealizuar, sepse Evropa është sundimi i ligjit, Evropa është kufizimi i pushtetit”, tha Basha.
Pas fjalës së Bashës, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nuk është shoqëruar me tensione.
Ndërkohë qindra forca policore u angazhuan pranë institucioneve shtetërore për të shmangur incidentet gjatë protestës.
Zhvillimet e fundit në Shqipëri
Kujtojmë se partitë opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta që janë përfshirë edhe nga tensionet, duke kërkuar qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
Pas këtyre zhvillimeve, presidenti Meta zyrtarizoi më 10 qershor vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore, duke vendosur anulimin e datës 30 qershor 2019. Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshtoi idenë për qeveri tranzitore dhe vendimin për anulimin e zgjedhjeve, dhe vazhdoi procesi për zgjedhjet që u mbajtën më 30 qershor.
Ndërkohë, pas anulimit të zgjedhjeve, pas kërkesës së Partisë Socialiste të drejtuar nga kryeministri Rama, Kuvendi i Shqipërisë ka filluar procedurat për shkarkimin e presidentit Meta, duke miratuar edhe komsion hetimor me arsyetimin se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese.
Zgjedhjet vendore për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë u zhvilluan sipas dekretit të parë të presidentit të vendit, Ilir Meta. Dekreti i ri që përcakton 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore nuk është mbështetur dhe njohur nga kryeministri Edi Rama.