Fatjon Cuka
09 Maj 2023•Përditësim: 10 Maj 2023
Në Shqipëri është shënuar Dita e Evropës, ku Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë në bashkëpunim me institucionet e Shqipërisë ka organizuar aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.
Në Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Dajtit në Tiranë është organizuar me rastin e 9 Majit aktiviteti me fokus të rinjtë, përfitues të projekteve të financuara nga BE-ja, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së në Tiranë dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme.
Ministrja e shtetit dhe kryenegociatorja e Shqipërisë për negociatat me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, duke folur për procesin e integrimit evropian tha se që nga korriku i vitit të kaluar dhe deri tani kanë punuar intensivisht në procesin e parë të negociatave.
Ajo shtoi se të gjitha institucionet janë aktive dhe me profesionalizëm po avancojnë me fazën e parë të negociatave dhe theksoi se po ndërtojnë bazat për integrimin e shpejtuar të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
"Qytetarët evropianë festojnë sot Ditën e Evropës, ditën e solidaritetit, të sundimit të ligjit, të demokracisë, të diversitetit kulturor. Edhe qytetarët shqiptarë festojnë sot Ditën e Evropës. Ne ndajmë të njëjtat vlera me qytetarët e Bashkimit Evropian. Identiteti ynë është thellësisht evropian. Shqipëria është pjesë e historisë dhe kulturës evropiane dhe perspektiva e të qenurit vend anëtar tashmë është e afërt", tha Dhuka.
Dhuka u shpreh se Qeveria e Shqipërisë po punon për të ndërtuar më shumë mundësi për të rinjtë, sidomos në fushën e aftësive.
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann, në fjalën e saj në aktivitet theksoi se që nga konferenca e parë ndërqeveritare në korrik të vitit të kaluar, janë bërë shumë gjëra dhe sipas saj kjo është një gjë për të cilën shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë.
"Keni ecur goxha në këto 10-11 muaj dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është e vërtetë që ka ende shumë punë për të bërë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, por ajo që dëshiroj të theksoj është që Shqipëria është Evropë", tha Hohmann.
Sipas Delegacionit të Bashkimit Evropian, në Ditën e Evropës dhe përgjatë Javës së Evropës (16 - 26 maj), do t'i kushtohet vëmendje e veçantë të rinjve shqiptarë, të cilët me mbështetjen e BE-së kanë zhvilluar aftësitë e tyre dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë në Shqipëri, duke hapur biznese apo zbatuar projekte të ndryshme.
Kujtojmë se 9 maji shënon Ditën e Evropës, e vendosur nga Bashkimi Evropian në përkujtim të Deklaratës së ish-ministri të Jashtëm të Francës, Robert Schuman.