Agim Sulaj
04 Shtator 2020•Përditësim: 05 Shtator 2020
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë sot në Washington, duke thënë se Kosova tani do të vazhdojë të punojë në zhvillim ekonomik, vende të reja të punës dhe konsolidimin e mëtejshëm të brendshëm dhe ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Thaçi nëpërmjet një komunikate për media pas nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë e cila u bë në praninë e presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, tha se “zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale për qytetarët, projektet infrastrukturore me kapital të madh, linjat ajrore, hekurudhore e autostradat, kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës, njësoj sikur edhe nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe kthimi individual i të gjithë të zhvendosurve në shtëpitë dhe pronat e tyre”.
“Shpreh konsideratën më të lartë për lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentin Trump, që sot arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike”, shkroi Thaçi, duke falënderuar edhe Emisarin Special, Ambasadorin Richard Grenell, “për angazhimin e tij gjigant që ky proces të jetë produktiv, efikas dhe besoj edhe i implementueshëm”.
“Kosova beson në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vizionin e Washingtonit, pasi gjatë gjithë historisë së Kosovës kjo i ka sjellë vetëm përfitime, si çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, themelimin e ushtrisë që do të përfundojë me integrimin në NATO, si dhe tash edhe zhvillim ekonomik”, shtoi presidenti kosovar.
“Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së është e përjetshme”, përfundoi Thaçi.