TIKA mbështet gratë fermere në Maqedoninë e Veriut
Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy tha se me këtë grant ofrohet mbështetje për zhvillimin bujqësor të vendit mik dhe vëllazëror
Dzihat Aliju
12 Maj 2026•Përditësim: 12 Maj 2026
photo: Umeys Sulejman / AA
Demir Kapi
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) organizoi ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve për serrë dhe makineri bujqësore në kuadër të projektit për krijimin e fermave serrë "Gratë Prodhuese" në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e shpërndarjes, e cila u mbajt në fshatin Koreshnik të qytetit Demir Kapi në jug të Maqedonisë së Veriut, morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetarja e Komunës së Demir Kapisë, Natalija Dimitrieva, koordinatorja e TIKA-s në Shkup, Fevziye Seyma Babayigit, kryetari i Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB), Tahsin Ibrahim, si dhe fermerë.
Foto : Umeys Sulejman/AA
Ulusoy, në fjalën e tij, tha se me këtë grant ofrohet mbështetje për zhvillimin bujqësor të vendit mik dhe vëllazëror.
Duke theksuar se lidhja dhe ura më kuptimplotë ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut është komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut, Ulusoy tha: "Uroj që gratë këtu të kenë korrje të begata. Të kenë produkte të mira dhe të ardhura të mira".
Dimitrieva e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në rajon. "Shpreh falënderimet e mia më të sinqerta ndaj TIKA-s për mbështetjen, bashkëpunimin dhe besimin", tha ajo.
- "Përfshirja e grave tona në prodhim do të japë kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë sonë"
Babayigit tha se në kuadër të projektit "Gratë Prodhuese" do të vendoset infrastruktura e nevojshme për kultivimin serrë të perimeve për 100 gra fermere ndërsa në këtë kuadër do të realizohet donacioni i 50 motokultivatorëve si dhe i farave të domates dhe specit.
Foto : Umeys Sulejman/AA
Ai falënderoi partnerët që kontribuan në projekt. "Me motokultivatorët që do të vihen në përdorim të përbashkët, synojmë rritjen e kapacitetit prodhues. Besojmë se pjesëmarrja më e fuqishme e grave tona në prodhim do të japë kontribut të rëndësishëm si për familjet tona ashtu edhe për të ardhmen e shoqërisë sonë", tha Babayigit.
Ndërkaq, Ibrahim, duke theksuar rëndësinë e kësaj mbështetjeje të ofruar nga TIKA, tha: "Kjo nuk është vetëm një projekt zhvillimor, por edhe një shembull i fuqishëm i vëllazërisë dhe besnikërisë që prek zemrat".
TIKA mbështet gratë fermere në Maqedoninë e Veriut