Fatjon Cuka,Abdulbesar Ademi
29 Tetor 2021•Përditësim: 30 Tetor 2021
Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, liderë dhe zyrtarë të lartë të vendeve të rajonit kanë uruar Turqinë dhe popullin turk me rastin e 29 tetorit, Ditës së Republikës së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dita e Republikës në Turqi është një festë publike që shënon shpalljen e Republikës së Turqisë nga Mustafa Kemal Ataturk më 29 tetor të vitit 1923.
Në Maqedoninë e Veriut, presidenti Stevo Pendarovski ka uruar popullin turk dhe homologun e tij, Recep Tayyip Erdoğan.
"Ne do të vazhdojmë të demonstrojmë miqësinë tonë, të mbështetur nga aleanca e NATO-s, përmes përpjekjeve për të ruajtur stabilitetin dhe prosperitetin në rajon", shkroi Pendarovski në Twitter.
Po ashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka uruar popullin turk dhe homologun e tij, Mevlüt Çavuşoğlu. Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter po ashtu ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin midis vendit të tij dhe Turqisë.
"Ne kemi një histori të gjatë të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, që mund të zhvillohet më tej me një dinamikë edhe më të madhe në interes të të dy vendeve dhe qytetarëve tanë. Jo vetëm si aleatë dhe partnerë strategjikë të NATO-s, por edhe si shenjë e marrëdhënieve tona të shkëlqyera dypalëshe, unë vlerësoj mundësinë për të rritur më tej bashkëpunimin e përgjithshëm në ekonomi, tregti, investime, arsim, kulturë e kështu me radhë", tha Osmani në video-mesazhin e publikuar në Twitter.
Osmani shtoi se i kushtojnë rëndësi të madhe pranisë së kompanive turke në Maqedoninë e Veriut, për ekonominë e vendit dhe vendet e punës që këto kompani ofrojnë, si dhe në fund të video-mesazhit uroi popullin turk në gjuhën turke.
Po ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi popullin e Turqisë dhe presidentin Erdoğan në këtë ditë.
"Ju uroj shëndet dhe lumturi, dhe gjithë të mirat në këtë ditë të veçantë", shkroi ajo.
Në Shqipëri, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e këtij vendi ka publikuar një mesazh urimi.
"Urimet më të përzemërta për 98-vjetorin e shpalljes së Republikës së Turqisë", thuhet në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.
Më tej, theksohet se Shqipëria dhe Turqia gëzojnë një miqësi të thellë dhe të hershme të bazuar në partneritetin strategjik.