Ekip
15 Gusht 2017•Përditësim: 15 Gusht 2017
SEUL (AA) - Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, të martën deklaroi se me presidentin amerikan, Donald Trump, u dakorduan se është shumë e rëndësishme që të parandalojnë lëshimin e raketave të Koresë së Veriut në territorin amerikan të Paqësorit, Guam, transmeton Agjencisë Anadolu (AA).
"U dakorduam se gjëja më e rëndësishme është të parandalojmë lançimin e raketave të Koresë së Veriut", tha Abe, në një konferencë shtypi pas bisedës telefonike me Trump.
Biseda e tyre u realizua pasi që mediat koreano-veriore cituan udhëheqësin e Korsesë Veriut, Kim Jong Un, se planifikon lançimin e raketës në ujërat pranë Guamit për të demonstruar fuqinë e tij. Koreja e Veriut ka thënë se do të gjuajë raketat mbi Japoni.
Japonia është duke punuar në vendosjen e sistemeve anti-raketore PAC-3, në perëndim të vendit, nëse raketat e Koresë së Veriut në rrugën e tyre për në ishullin e Paqësorit Guam shkelin hapësirën ajrore japoneze.
Në Guam në dy baza të madhe ndodhen rreth 5,000 trupa amerikane. Në një prej tyre, në bazën e Forcave Ajrore të SHBA-së Anderson, ndodhen bombarduesit me rreze të gjatë të cilët rregullisht fluturojnë drejt Koresë së Jugut sa herë që Pheniani lançon ndonjë raketë ose provon armët.
Herën e fundit Koreja e Veriut ka gjuajtur raketë mbi Japoninë në vitin 1998, me rastin e lançimit të pasuksesshëm të satelitit, i cili u rrëzua në Paqësorin e Veriut. Tokio në atë kohë pati mobilizuar baterinë PAC-3, por nuk pati gjuajtur, sepse kjo do të ishte e paligjshme sipas kushtetutës japoneze.
Megjithatë, kjo ndryshoi në vitin 2012, kur qeveria miratoi interpretimin e ri, sipas të cilit lejohet "mbrojtja kolektive" apo dalja në ndihmë të aleatëve, e cila përfshinte edhe ndihmën në mbrojtjen e bazave aleate në ishullin Guam.
BE kërkon rrugë diplomatike
Komiteti i BE-së për Politikë dhe i Siguri, në kryesimin e Federica Mogherinit, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, të hënën në Bruksel zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar për tensionet mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve. Pas kësaj mbledhjeje në nivel ambassadorësh, në kohën kur institucionet e BE-së janë në pushim, Mogherini bëri një deklaratë me shkrim.
Në deklaratë Mogherini thekson se tensionet duhet të ulen në mënyrë emergjente dhe i bëri thirrje Koresë së Veriut që "t’iu shmanget një veprimi provokativ që do të ndikonte vetëm në ngritjen e tensionimit rajonal dhe global".
Duke theksuar se SHBA-ja mbështet uljen e tensionit dhe përpjekjet diplomatike me qëllim pastrimin e plotë të Gadishullit Korean nga armët bërthamore, Mogherini thotë se “Është arritur marrëveshja për forcimin e përpjekjeve diplomatike që BE-ja dhe shtetet anëtare të hyjnë në kontakte dhe t’ia përcjellin mesazhin tonë Koresë së Jugut, SHBA-ve, Kinës, Rusisë si dhe Koresë së Veriut".
Mogherini thotë se BE-ja është e gatshme për ta mbështetur procesin e sigurtë dhe kuptimplotë të dialogut në mes shoqërive ndërkombëtare, duke filluar nga Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut, si dhe që të ndajë çdo përpjekje të mundur, përfshirë edhe ekspertizën e fituar nga negociatat lidhur me çështjet bërthamore.
Po ashtu Mogherini thotë se vazhdimi i shpejtimit të programeve bërthamore dhe raketave balistike të Koresë së Veriut, ashtu siç është theksuar edhe në vendimet e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), nënkupton një shkelje të rëndë dhe shqetësuese të detyrimeve ndërkombëtare të shtetit në fjalë.
Koreja e Veriut kishte paralajmëruar se është në përgatitje të sulmit me raketa balistike ndaj Ishullit Guam, i cili ndodhet nën kontrollin e SHBA-ve, kurse qeveria e Uashingtonin kishte paralajmëruar se kjo mund të shkaktojë luftë.
Testimet e raketave dhe aktivitetet bërthamore të qeverisë së Koresë së Veriut po shkaktojnë shqetësime në rajon.