Ekip
30 Maj 2019•Përditësim: 04 Qershor 2019
Presidenti Cyril Ramaphosa ka emëruar kabinetin e ri qeveritar të Republikës së Afrikës së Jugut, në të cilin 50 për qind e posteve ministrore u kanë takuar grave, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kjo është hera e parë në historinë e vendit tonë, që gjysma e ministrave të jenë gra", tha Ramaphosa në një adresim televiziv.
Ai bëri të ditur se ka reduktuar numrin e ministrave nga 36 në 28, duke kombinuar një numër postesh në mënyrë që të shkurtojë shpenzimet, por njëkohësisht siç tha ai, do të ketë një koordinim dhe një efikasitet më të mirë.
"Të gjithë afrikanët e jugut janë të vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha ekonomike me të cilat u përball vendi që ndikuan te financat publike", tha ai, duke shtuar se si president i ka dhënë përparësi revitalizimit të ekonomisë bashkë me një kujdes më të shtuar të përdorimit të fondeve publike.
Presidenti Ramaphosa, 66 vjeçar, të shtunën u betua si presidenti i gjashtë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Afrikën e Jugut.
Ai premtoi krijimin e vendeve të reja të punës dhe se do të ndalojë korrupsionin e përhapur.
Në kabinetin e tij, Ramaphosa ka përfshirë një numër të konsiderueshëm të të rinjve, por edhe për habinë e të gjithëve, kreun e partisë opozitare Patricia De Lille si ministre të Punëve Publike dhe Infrastrukturës.
"Në emërimin e ekzekutivit të ri, kam marrë në konsideratë eksperiencën, vazhdimësinë, kompetencën, përzierjen e gjeneratave dhe diversitetin demografik dhe rajonal", tha ai.
Ish-aktivisti anti-apartheid, Tito Mboweni, mbajti detyrën e ministrit të Financave, ndërsa Pravin Gordon mbetet ministër i Tregtisë. Davida Mabuzu mbetet nënpresident i vendit, ndërsa shefja e re e diplomacisë afrikano-jugore është Naledi Pandor.