Kasım İleri
04 Dhjetor 2018•Përditësim: 04 Dhjetor 2018
WASHINGTON (AA) - Senatori republikan amerikan, Lindsey Graham, në artikullin e tij me fokus mbi Arabinë Saudite ka shkruar se "vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi, operacioni i papërgjegjshëm në Jemen, embargoja ndaj Katarit dhe përpjekjet për largimin nga detyra të kryeministrit libanez tregojnë arrogancën e regjimit saudit i cili injoron normat ndërkombëtare", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në artikullin me temë "Kongresi po ashpërson qëndrimin kundër sauditëve" të publikuar në gazetën amerikane "Wall Street Journal", senatori nga Karolina e Jugut, Graham është përqendruar tek princi saudit Mohammed bin Selman dhe ka bërë vlerësimin e mëposhtëm:
"Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi, operacioni i papërgjegjshëm në Jemen, embargoja ndaj Katarit dhe përpjekjet për largimin nga detyra të kryeministrit libanez tregojnë arrogancën e regjimit saudit i cili injoron normat ndërkombëtare. Nëse këto veprime të princit saudit Mohammed bin Selman e bëjnë Arabinë Saudite burim të stabilitetit në Lindjen e Mesme, jam kurioz se cilat do të ishin veprimet destabilizuese".
Pasi ka rikujtuar se Senati Amerikan javën e kaluar dërgoi në Asamblenë e Përgjithshme për votim një draft për të ndaluar mbështetjen e ushtrisë amerikane ndaj operacioneve nën udhëheqjen e sauditëve në Jemen, Graham tha se 63 senatorë mbështetën këtë draft pavarësisht se Sekretari amerikan i Shteteit, Mike Pompeo deklaroi se ky hap do të dëmtonte aleancën mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite dhe se do të forconte Iranin.
"Veprimet e Kongresit kohët e fundit ndaj Arabisë Saudite janë të papranueshme", tha Graham duke shtuar më tej se edhe ai vetë për vite ka mbështetur regjimin saudit dhe se i është bashkuar presidentit amerikan Donald Trump në çështjen se Arabia Saudite ka një rëndësi strategjike për SHBA-të. Graham tha se nuk është ndonjë gjë e madhe që të kërkosh nga Rijadi të mos shkelë normat civile dhe se është barbare vrasja e një gazetari në një institucion diplomatik.
Po ashtu duke e përngjasur regjimin e Iranit me atë nazist, Graham ka tërhequr vëmendjen në objektivat e Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore dhe mbështetjen me raketa për rebelët Huthi në Jemen.
"Nëse nuk do të kontrollohen veprimet e fundit të sauditëve, përveç se do të krijojë ndarje me Arabinë Saudite dhe partnerët tanë të tjerë në Lindjen e Mesme ato do shërbejnë për ndihmë të Iranit. Libani, Jordania dhe të tjerët dëshirojnë siguri që SHBA-ja nuk do të përkulet përballë kapriçove të princit saudit. Ajo do të ishte një rrënim i marrëdhënieve SHBA-Arabi Saudite", thotë Graham.
Ndërsa në lidhje me provat e shërbimeve inteligjente amerikane për vrasjen e Khashoggit, senatori Graham tha se "Të mohosh ndërhyrjen e princit saudit është një verbëri e qëllimshme".
"Mosdhënia e një kundërpërgjigje të nevojshme ndaj princit bin Selman do të nënkuptojë ndezjen e një drite jeshile për regjimet autoritare në botë që ato të vrasin opozitarët", thekson Graham.