Muhammed Emin Canik
05 Janar 2019•Përditësim: 06 Janar 2019
BUENOS AIRES (AA) - Qytetarët në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, kanë protestuar nëpër rrugë kundër rritjes së çmimeve që arrijnë deri në 55 për qind për gazin natyror, energjinë elektrike dhe transportin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e mbledhur në 11 pika të kryeqytetit kanë zhvilluar protestën e emëruar "Cacerolazo" dhe "Ruidazo" duke mbajtur në duar tenxhere dhe sende të tjera të forta duke bërë zhurmë.
Protestuesit me slogane kundër presidentit Mauricio Macri dhe politikave të tij kanë mbajtur në duar afishe dhe pankarta me mbishkrime kundër qeverisë dhe rritjes së çmimeve.
"Këtu protestojmë kundër rritjes së çmimeve në shërbimet publike. Një pjesë të shërbimeve i paguante shteti, dhe kështu shpërndahej në mënyrë të barabartë pasuria e vendit. Tashmë këto shërbime i ofrojnë kompanitë private ndërsa janë ndërprerë ndihmat shtetërore", thonë protestuesit.
Duke vënë në dukje se Qeveria e presidentit Macri nuk ka mbajtur premtimet e dhëna më parë, protestuesit kanë kërkuar që personat me të ardhura më të ulëta t'u nënshtrohen tatimeve më të ulëta.
Për shkak të protestave ka patur ndërprerje në trafik me mbylljen e qarkullimit në disa rrugë të qytetit.
Në dhjetorin e vitit të kaluar në Argjentinë u tha se në vitin 2019 në Buenos Aires ku jetojnë më shumë se 13 milionë banorë do të bëhen ngritje graduale të çmimeve përkatësisht 55 për qind në energjinë elektrike, 40 për qind në transportin urban dhe 35 për qind për gazin natyror në nivel kombëtar.