Ali Cura
14 Shtator 2020•Përditësim: 14 Shtator 2020
Në protestat pa leje që u zhvilluan dje kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi janë arrestuar 774 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Olga Çemodanova, në deklaratën me shkrim tha se të dielën në 28 vendbanime në mbarë vendin janë organizuar protesta, në të cilat pjesëmarrja nuk ka tejkaluar shifrën 22.000.
Ajo tha se në kryeqytetin Minsk janë mbledhur rreth 15.000 njerëz.
Çemodanova tregoi se në qytetet Brest, Mogilyev dhe Novopolotsk protestuesit kanë sulmuar forcat e sigurisë. "774 persona u ndaluan dje për shkelje të ligjit duke marrë pjesë në demonstrata të paautorizuara në të gjithë vendin. Mbi 500 prej tyre janë në paraburgim në Minsk. 544 persona do të mbeten në paraburgim deri sa të dalin në gjykatë", u shpreh Çemodanova.
Pasi presidenti aktual Aleksandr Lukashenko shpalli fitoren e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht në Bjellorusi filluan protestat në të gjithë vendin me pretendimin për "mashtrime në zgjedhje". Protestuesit krahas zgjedhjeve të reja kërkuan edhe ndryshimin e kushtetutës së vendit.