Hamdi Yıldız
19 prill 2022•Përditësim: 19 prill 2022
Avionët luftarakë izraelitë goditën një zonë në Rripin e Gazës sot herët, të lidhur me Brigadat Ezzedine al-Qassam, krahu ushtarak i organizatës palestineze Hamas, raporton Anadolu Agency (AA).
Disa sulme nga avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një zonë në perëndim të qytetit Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës, sipas korrespondentit të AA.
Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk raporton për viktima apo të lënduar.
Brigadat Ezzedine al-Qassam thanë se janë kundërpërgjigjur me raketa tokë-ajër.
"Mbrojtja jonë ajrore iu përgjigj avionëve luftarakë sionistë në qiellin e Rripit të Gazës me raketa tokë-ajër të martën në mëngjes", thuhet në deklaratë.
Më herët, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) njoftuan në Twitter se një raketë e lëshuar nga Gaza u interceptua nga sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite Iron Dome.
Ata thanë se sulmet u kryen në përgjigje të sulmeve nga Gaza në Izrael, duke shtuar: "Ne sapo shënjestruam një vend të prodhimit të armëve të Hamasit në Gaza".
Masa vjen pasi kryeministri izraelit, Naftali Bennett, tha se Hamasi ishte përgjegjës për rritjen e tensioneve në Izrael dhe Palestinë.
Tensionet janë rritur në territoret palestineze që nga fillimi i prillit, mes fushatave të përsëritura të arrestimeve izraelite në Bregun Perëndimor.
Të premten, dhjetëra palestinezë u plagosën në përleshjet me forcat izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se aty ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Më pas aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, lëvizje kjo që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.