Emre Aytekin
25 Dhjetor 2017•Përditësim: 25 Dhjetor 2017
ANKARA (AA) - Një pjesë e madhe e botës së krishterë sot feston krishtlindjet, festë e cila karakterizohet me personazhin e "baba dimrit", bredhave të zbukuruar dhe dhuratave, raporton Anadolu Agency (AA).
Kërshëndellat, të cilat protestantët dhe katolikët i shënojnë më 25 dhjetor, ndërsa ortodoksët me 6 janar, pranohet si një nga festat më të vjetra të njerëzimit. Festimet filluan mbrëmjen e 24 dhjetorit, kurse në disa shtete vazhdojnë deri më datën 26 të këtij muaji.
Teksa shoqëritë pagane festonin festën e "ringjalljes" më 25 dhjetor kohë të gjatë para përhapjes së Krishterimit, kisha, e cila nga shekulli 4 nisi të rrisë ndikimin, filloi aktivitetet për festimin e kësaj dite si lindja e Profetit Isa.
Edhe pse disa historianë dhe studiues japin mendime të ndryshme për lindjen dhe vdekjen e Profetit Isa, besohet se ai ka lindur mes vitit 4 dhe 6 para erës sonë në Betlehem. Sipas Ungjillit të Lukës, kur lindi Profeti Isa, barinjtë po kullosnin kopetë e tyre në livadhe, që lë të kuptohet se lindja e tij duhet të ketë ndodhur në muajt e pranverës ose verës. Ndërkaq, sipas disa burimeve të tjera, thuhet se ai ka lindur gjashtë muaj pas Jahja (Gjon) Pagëzorit, që i bie që Profeti Isa të ketë lindur në muajin tetor.
Edhe pse në Perandorinë Romake shënimi i festave për hirë të Profetit Isa datojnë më së largëti në vitin 325 ose 326, festimi zyrtar i kërshëndellave filloi në vitet e fundit të sundimit të Konstantinit të Madh të Perandorisë Bizantine, pasi në vitin 354 të erës sonë nata mes 24 dhe 25 dhjetorit u shpall si ditëlindja e Profetit Isa.
- Ushqimet dhe ritualet e krishtlindjeve -
Në shumë shtete, në pasditen e 25 dhjetorit përgatitet dreka për krishtlindjet, ndërsa anëtarët e familjes mblidhen në tryezë. Edhe pse ushqimet e kërshëndellave dallojnë nga vendi në vend, gjeldeti i skuqur në furrë zë vend në sofër si ushqimi më popullor.
Ndërkaq, ortodoksët shënojnë kërshëndellat më 6 janar, ndërsa edhe te ortodoksët, ushqimet tradicionale dallojnë nga vendi në vend.
Në shumë vende, ku të krishterët janë pakicë, siç janë Malajzia dhe India, krishtlindjet janë festë shtetërore.