Sümeyye Dilara Dinçer
18 gusht 2022•Përditësim: 18 gusht 2022
Në Britani mijëra makinistë të trenave kanë hyrë sërish në grevë duke paralizuar përsëri udhëtimet në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Greva që parashikohet të vazhdojë edhe nesër pritet të prekë rrjetin e metrove dhe autobusëve në Londër, ndërsa edhe greva tjetër që do mbahet më 20 gusht parashikohet se do të shkaktojë ndërprerje në rrjetin e trenave në të gjithë vendin.
Mick Lynch, sekretari i përgjithshëm i Sindikatës Kombëtare të Punëtorëve të Transportit Hekurudhor dhe Detare (RMT) ka pretenduar se qeveria e Britanisë ka një "agjendë kundër sindikatës".
"Njerëzit në këtë vend janë mërzitur nga pagat e ulëta. Miliona njerëz prej vitesh nuk kanë një pagë korrekte", tha Lynch duke vënë në dukje se edhe punonjësit e hekurudhave, ashtu si punonjësit në sektorët e tjerë publik në vend, po luftojnë të përballojnë çmimet në rritje të ushqimeve dhe karburantit.
Edhe një zyrtar nga Ministria e Transportit ka theksuar se liderët e sindikatave në vend që të arrijnë një marrëveshje kanë preferuar që prej muajsh të krijojnë një klimë mjerimi dhe të prekin jetën e përditshme të njerëzve.