Burak Bir
08 tetor 2026•Përditësim: 08 tetor 2026
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Brunham ka deklaruar se Londra është e hapur ndaj përfshirjes së Gjermanisë në Programin Global të Avionëve Luftarak (GCAP), një projekt për zhvillimin e avionëve luftarakë të gjeneratës së ardhshme, ku marrin pjesë Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia, transmeton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Burnham shprehu “gatishmërinë” e tij për përfshirjen e Gjermanisë në GCAP, duke theksuar se për këtë çështje pritet të ketë përparim në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim me partnerët e tjerë, Italinë dhe Japoninë.
“Natyrisht, sot kemi nevojë për një bashkëpunim më të thellë ekonomik”, tha ai duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe me Gjermaninë, përfshirë partneritetin në ekonomi dhe mbrojtje.
GCAP bashkon Mbretërinë e Bashkuar, Italinë dhe Japoninë për zhvillimin e një avioni luftarak shumëfunksional, të padukshëm për radarët dhe të gjeneratës së gjashtë, i cili synohet të hyjë në shërbim nga viti 2035.
Interesi i Gjermanisë për zhvillimin e bisedimeve eksploruese mbi GCAP erdhi pasi projekti i përbashkët i avionëve luftarak i Berlinit me Francën dështoi. Burnham theksoi bashkëpunimin në disa fusha, veçanërisht në mbrojtje dhe siguri si dhe një partneritet të ri për përballimin e sulmeve hibride, “diçka me të cilën Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania përballen rregullisht”.
“Ka kuptim t’i përballojmë këto kërcënime së bashku dhe të mbështesim njëri-tjetrin në përballimin e tyre si dhe të kundërshtojmë ndërhyrjet në proceset tona demokratike dhe të jemi të fortë së bashku kur përballemi me këto kërcënime”, shtoi ai.
Burnham përsëriti se qeveria e tij është “shumë e përkushtuar” për thellimin e bashkëpunimit me BE-në dhe “për të parë nëse mund ta afrojmë Mbretërinë e Bashkuar më shumë me Evropën, veçanërisht në interes të rritjes ekonomike dhe bashkëpunimit për migracionin e parregullt”.
Ai tha se ishte i “kënaqur që ndodhej këtu” për të ratifikuar Traktatin e Kensingtonit, një marrëveshje bashkëpunimi dypalësh e nënshkruar vitin e kaluar nga kancelari Merz dhe kryeministri i atëhershëm britanik, Keir Starmer.
Traktati synon thellimin e lidhjeve në fushën e mbrojtjes, migracionit dhe ekonomisë mes dy vendeve, përmes një angazhimi për ndihmë të ndërsjellë ushtarake, masave më të ashpra kundër rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore në Kanalin e La Manshit, lehtësimit të marrëveshjeve të udhëtimit, si dhe nismave të përbashkëta për energjinë e pastër dhe teknologjinë.