Aşkın Kıyağan
02 Shkurt 2023•Përditësim: 02 Shkurt 2023
Dy nga gjashtë personat e gjykuar lidhur me rastin e sulmit terrorist që shkaktoi vdekjen e katër personave në Austri në 2 nëntor 2020, u dënuan me burg të përjetshëm, ndërsa njëri 20 vjet dhe tjetri 19 vjet burg, raporton Anadolu.
Në rastin gjyqësor që vazhdoi më shumë se 2 vjet në Gjykatën Federale të Vjenës, komisioni gjyqësor prej 8 personash, shpalosi vendimin për 6 persona që po gjykoheshin për ndihmë dhe mbështetje të terroristit që vrau 4 persona.
Sipas kësaj, dy prej katër personave për të cilët është zbuluar se kanë ndihmuar në kryerjen e aktit terrorist, i kanë mundësuar terroristit të ketë qasje në armë dhe municione të ngjashme si dhe kanë qenë në dijeni nga sulmi, janë dënuar me burg të përjetshëm.
Nga ana tjetër, njëri prej të gjykuarve me arsye të ngjashme mori dënim prej 20 vjet, ndërsa tjetri 19 vjet burg.
Ndërkaq, në përjashtim të katër personave për të cilët u konstatua se e kanë ndihmuar terroristin, dy të pandehurit e tjerë janë liruar nga akuzat pasi në drejtim të provave në dispozicion është konstatuar se nuk kanë pasur lidhje direkte me aktin terrorist, por se personat në fjalë janë dënuar nga dy vjet burg me arsyetimin se kanë qenë anëtarë të organizatës terroriste DEASH dhe kanë bërë propagandën e këtij grupi.
Në sulmin terrorist të kryer nga një person 20-vjeçar shtetas austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut më 2 nëntor 2020 në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, kishin humbur jetën 4 persona, kurse 23 të tjerë ishin plagosur.