Ekip
02 Shtator 2020•Përditësim: 03 Shtator 2020
I moshuari palestinez Hayri Hanun i cili u arrestua dhunshëm nga forcat izraelite tha se ushtarët izraelitë u përpoqën ta vrisnin në mënyrën sikurse policia amerikane vrau afroamerikanin George Floyd, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke rrëfyer detajet e abuzimit të tij nga ushtarët izraelitë gjatë një proteste kundër vendbanimeve ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, Hanun, 64 vjeç, e përshkroi incidentin si një "veprim të pamoralshëm nga forca izraelite".
Fotoreporteri i AA-së të martën dokumentoi sulmin kundër Hanunit gjatë një tubimi kundër një projekti të vendbanimeve kolone hebreje në qytetin Tulkarm të Bregut Perëndimor.
Aktivistët palestinezë arritën ta lirojnë Hanunin pasi u arrestua nga forcat izraelite.
Disa orë pas incidentit, aktivistët palestinezë publikuan fotografi të Hanunit të moshuar të shtrirë në tokë, ndërsa një ushtar izraelit i kishte vendosur gjurin në qafë, ngjashëm sikurse rasti me George Floyd-in.
Floyd u vra më 25 maj, kur një polic amerikan e mbërtheu dhe i vendosi gjurin në qafë gjatë arrestimit në shtetin amerikan Minneapolis.
Në një prononcim për AA, Hanun tha: "Ne shkuam të mbronim tokën tonë dhe të kundërshtonim një projekt vendbanimi kolon. Ne nuk mbajmë armë. Mbajmë flamurin palestinez, me trupat dhe zërin tonë përpara një ushtrie me bomba dhe plumba”.
"E gjeta veten të shtrirë në tokë dhe një ushtar izraelit m’u përkul në qafë. Isha i paralizuar dhe kujtova incidentin e vrasjes së afroamerikanit nga një polic i bardhë”, tha ai, duke iu referuar George Floyd-it.
Incidenti ndodhi gjatë një ngjarjeje të zhvilluar në territorin e qytezave Shofa dhe Jabara, në jug të Tulkarmit, ku automjetet ushtarake izraelite kanë niveluar tokat për disa javë.
Banorët thonë se autoritetet izraelite i informuan ata vitin e kaluar për qëllimin e tyre për të konfiskuar rreth 197 hektarë tokë për të krijuar një zonë industriale.
Sipas raporteve palestineze, ritmi i ndërtimit të vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor po përshpejtohet, ndërsa vlerësimet izraelite dhe palestineze tregojnë se ka rreth 650.000 kolonë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin e pushtuar.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje të vendosura në territoret e okupuara konsiderohen të paligjshme.