Erbil Başay
16 Shkurt 2018•Përditësim: 17 Shkurt 2018
BERLIN (AA) - Një punonjës i një shoqate, i cili u prezantua si gazetar gjatë konferencës së përbashkët për media të kryeministrit turk Binali Yıldırım dhe kancelares gjermane Angela Merkel në Berlin, për të protestuar kundër operacionit të forcave turke në Afrin shfaqi fotografi për të cilat Anadolu Agency (AA) më herët ka dokumentuar se janë të rreme dhe nuk kanë të bëjnë me operacionin.
Personi me emrin ArmancAgid Nerweyi, i cili u përpoq të njollosë operacionin "Dega e Ullirit" në Afrin, mori pjesë në konferencën për media si gazetar i Basnews, por shpërndau një kartëvizitë të një shoqate ku shkruante emri i tij.
Pretendimi i simpatizantit të organizatës terroriste PYD/PKK se fotografitë janë nga Afrini doli të jenë të rreme.
Fotografitë e shpërndara nga Nerweyi janë përdorur nga llogaritë e rrjeteve sociale të afërta për PYD/PKK-në për të zhvilluar propagandë njollosëse.
Njëra prej fotografive të Nerweyit, të cilin ai e shfaqi me pretendimin se është shkrepur në Afrin dhe në të cilën shihet një fëmijë i plagosur, në fakt është fotografi e publikuar në media në muajin gusht të vitit 2016.

Ndërkaq, fotografia tjetër, e cila më herët në llogaritë e rrjeteve sociale të afërta me organizatën terroriste PYD/PKK është përdorur me etiketën "shpëtoni fëmijët në Afrin", është vërtetuar se në fakt është shkrepur në një spital fushor në Siri dhe është përdorur në një lajm të gazetës gjermane Frakfurter Allgemeine më 18 dhjetor të vitit 2015, ndërsa është servisuar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Pas konferencës për media, Nerweyi theksoi se këto fotografi i ka shkarkuar nga interneti.
Nerweyi, i cili prentendoi të ishte gazetar, nuk u soll në përputhje me rregullat e konferencës për media. Ai filloi të flasë nga vendi ku ulej pa iu dhënë fjala, ndërsa, duke provokuar, u përpoq të ndërpresë fjalën e folësit që përgjigjej ndaj një pyetjeje.
Edhe gjatë konferencës, Yıldırım tha se fotografitë e shfaqura nuk kanë të bëjnë me operacionin, por se i përkasin ngjarjeve të tjera.
"Mos bëj propagandë. Nëse do ta dish se çfarë është duke ndodhur në Afrin, eja atje. Atje do ta shohësh të vërtetën. Këto që i tregova janë fotografi të ngjarjeve të tjera", tha kryeministri turk.