Derya Gülnaz Özcan
09 Korrik 2023•Përditësim: 10 Korrik 2023
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis tha se shtyrja e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Türkiye-n nuk është në dobinë e dy vendeve dhe se qeveria greke dëshiron të rrisë dialogun dhe bashkëpunimin me Türkiye-n në periudhën e re, transmeton Anadolu.
Në bisedimet e kuvendit ku u diskutua për programin e ri të qeverisë, Gerapetritis dha informacione për prioritetet e politikës së jashtme të vendit të tij. "Qëllimi i sinqertë për bashkëpunim dhe dialog me respektimin e ligjit ndërkombëtar do të vazhdojë të mbetet busulla jonë në marrëdhëniet me Türkiye-n", deklaroi Gerapetritis.
"Greqia dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Türkiye-s", tha Gerapetritis i cili tha se synohet rifillimi i bisedimeve mes dy palëve, formimi i agjendës pozitive me masa të rritjes së besimit dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik.
Duke tërhequr vëmendjen se kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis do të takohet me presidentin Recep Tayyip Erdoğan në Samitin e NATO-s që do mbahet javën e ardhshme në Vilnius, Gerapetritis tha se Mitsotakis do të përpiqet të formojë marrëdhënie me Erdoğan-in në kuadër të respektit reciprok.
"Greqia, problemet lidhur me zonën ekskluzive ekonomike (ZEE) dhe shelfin kontinental me Türkiye-n, dëshiron t'i zgjidhë me marrëveshje të ngjashme siç ka vepruar me Egjiptin dhe Italinë", theksoi Gerapetritis i cili shtoi se "Shtyrja vazhdimisht e këtyre problemeve nuk u shërben interesave të të dy vendeve".
Ai tha se problemi i Qipros është prioritet i politikës së jashtme të Greqisë dhe pretendoi se zgjidhja me dy shtete nuk mund të pranohet.
Duke bërë të ditur se vendi i tij e sheh të papranueshëm revizionimin, Gerapetritis mbrojti idenë se "status quo"-ja e përcaktuar nga Traktati i Lozanës dhe Konveta Montreux nuk mund të ndryshohet.
Gerapetritis shpjegoi se Athina synon të ndjekë politikë aktive në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai tha se Greqia mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO, do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, do të ndërmarrë iniciativë për perspektivën e Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE), do t'i kushtojë rëndësi bashkëpunimit rajonal në Mesdheun Lindor si dhe synon të zhvillojë marrëdhëniet me Izraelin, Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe SHBA-në.