Ekip
09 nëntor 2021•Përditësim: 10 nëntor 2021
Greqia në 24 orët e fundit ka regjistruar 7.335 infeksione të reja me COVID-19, theksuan të hënën autoritetet shëndetësore, duke shënuar shifrën më të lartë njëditore që nga fillimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të premten ishte regjistruar numri i dytë më i lartë ditor me 6.909 infeksione të reja.
Aktualisht ka 792.239 raste të konfirmuara të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë.
65 persona të tjerë humbën jetën nga virusi në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të viktimave të pandemisë në 16.361.
Gjithsej 477 pacientë janë në ventilatorë në spitale. Nga totali i pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv, 402 (84,28 për qind) janë të pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar dhe 75 (15,72 për qind) janë plotësisht të vaksinuar.
Mjekët në qytetin limanor verior të Selanikut thanë se pothuajse të gjithë pacientët janë të pavaksinuar, ndërsa autoritetet shëndetësore thanë se të paktën 300 persona, 85-87 për qind e të cilëve nuk ishin të vaksinuar, kanë vdekur nga COVID-19 në rajonet e Maqedonisë dhe Trakisë në dy javët e fundit.
Që nga fillimi i muajit, ky vend ka regjistruar rritje të rasteve ditore, duke thyer rekordin pothuajse tri herë dhe duke detyruar autoritetet të marrin masa shtesë që hynë në fuqi të shtunën.
Që nga e shtuna, personat e pavaksinuar duhet të deklarojnë një test negativ për COVID-19 për të hyrë në dyqane, banka dhe zyra publike, ndërsa punonjësve të pavaksinuar u kërkohet të bëjnë dy teste për COVID-19 në javë.