Betül Yürük
25 Shtator 2018•Përditësim: 26 Shtator 2018
KOMBET E BASHKUARA (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka deklaruar se "ka një zemërim për shkak të pamundësisë sonë për t'i dhënë fund luftërave në Siri, Jemen dhe në vende të tjera", raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), Guterres ka tërhequr vëmendjen se njerëzit kanë humbur besimin në institucionet politike dhe se është rritur polarizimi dhe populizmi, ndërsa edhe bashkëpunimi mes vendeve është bërë gjithnjë e më i vështirë.
"Sot, rendi botëror është bërë mjaft kaotik. Marrëdhëniet e fuqisë janë të përziera. Vlerat universale po kosumohen. Parimet demokratike janë nën rrethim. Sundimi i ligjit po dobësohet. Krimet po mbeten të pandëshkuara. Teksa udhëheqësit dhe shtetet po i vështirësojnë kufijtë në arenën vendore dhe ndërkombëtare, ne po përballemi me një numër paradoksesh. Sistemi multinacional ndodhet në rrezik në një kohë kur ai është mase i nevojshëm", theksoi Guterres, duke vënë në dukje brishtësinë për besimin ndaj menaxhimit global. Sipas tij, problemet e shekullit 21 kanë lënë pas mentalitetin dhe isntitucionet e shekullit të 20-të.
- Theksi në bashkëpunimin strategjik
Ai potencoi se po shkohet drejt një bote multipolare dhe se ky multipolarizim nuk mund të garantojë brenda tij paqen ose të zgjidhë problemet globale. Guterres thotë se "ndryshimet në balancën e pushtetit mund të rrisin rrezikun e konfliktit".
Guterres ka rikujtuar disa probleme në fjalimin e mbajtur në AP-OKB-në e vitit të kaluar.
"Një vit ka kaluar dhe problemet për fat të keq janë ende të pazgjidhura. Ka një zemërim për shkak të pamundësisë sonë për t'i dhënë fund luftërave në Siri, Jemen dhe në vende të tjera. Qytetarët e Arakanit ndodhen në mërgim e në varfëri dhe kërkojnë siguri dhe drejtësi. Palestinezët dhe izraelitët janë më larg çdo ditë nga zgjidhja me dy shtete në një konflikt të pafund. Kërcënimi terrorist është në rritje. Kërcënimi bërthamor nuk ka kaluar. Pavarësisht të gjitha ndalesave armët kimike përdoren në mënyrë të pamëshirmshme. Tensionet mbi tregtinë janë në rritje. Emigrantët dhe refugjatët vazhdojnë të jenë të diskriminuar. Ndryshimet klimatike po lëvizin më shpejtë se ne dhe bëjnë thirrje për një ndihmë", tha Guterres.
Pasi ka dhënë mesazhin se me një udhëheqje të bazuar në bashkëpunimin strategjik mund të parandalohen luftërat dhe bota mund të vendoset në një rrugë më të sigurtë, Guterres u bëri thirrje liderëve botërorë për një bashkëpunim ndërkombëtar dhe për reformë në OKB në këtë periudhë që ka nevojë më shumë se çdo herë.