Figen Shaban
16 Janar 2018•Përditësim: 17 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin Ramush Haradinaj ka përfunduar punën e ditës së një takimi të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte gjendja e sigurisë në vend, me fokus të veçantë vrasja e liderit të serbëve të veriut, Oliver Ivanoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK), Shpend Maxhuni, kryeministri Haradinaj deklaroi se vrasja e Ivanoviçit ka parametra të keqpërdorimit politik, por edhe më shumë. Ai theksoi se që nga momenti i marrjes së këtij lajmi, institucionet e vendit dhe të gjitha instancat e tjera kanë kryer detyrat e veta në bazë të ligjit dhe se ende janë të mobilizuara duke punuar në vendin e ngjarjes.
Duke dënuar çdo tendencë, siç tha, që shfrytëzon këtë krim për axhenda politike dhe për axhenda të tjera, Haradinaj tha se PK-ja është në detyrë. Ai poashtu shtoi se PK-ja ka marrëdhënie të mira me plotë organizata simotra, duke shtuar se sikur të ishte e nevojshme për ndihmesë në hetime do të mund të ftohet FBI-ja.
“Nuk i mirëpresim deklarimet e askujt për ndërhyrje në rend dhe ligj në Veri. Mendojmë se edhe ky krim, por edhe zhvillimet e caktuara kriminele që ndodhin në Veri janë rezultat i involvimeve ilegale që ndodhin në Veri nga instanca të tjera jashtë Kosovës”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj poashtu theksoi se situata e sigurisë është stabile dhe e qetë duke nënvizuar se qytetarët serb të Kosovës nuk kanë nevojë që të shqetësohen. Ai tha se garancë për sigurinë e tyre kanë institucionet e vendit.
Në pyetjen lidhur me vendimin e Sërbisë që të ndërpritet dialogu mes Kosovës dhe Sërbisë në Bruksel, Haradinaj tha se është i habitur me këtë vendim dhe shtoi se dialogu është në gjendje kritike dhe i konsumuar.
Ai tha se duhet të përgatitet një platformë për njohjen reciproke, ndërsa e konsideroi kërcënuese armatosjen e Serbisë me raketa me kompletimin me distancë të caqeve që mbrijnë në Kosovë.
Ndërsa, drejtori I përgjithshëm i PK-së, i cili foli për hetimet rreth rastit të vrasjes së Ivanoviçit, tha se që nga momenti i parë policia kosovare ka ndërrmarrë veprimet hetimore në koordinim të ngushtë me prokurorin e shtetit dhe inspektoratin policorë.
Ai tha se është krijuar një task forcë e cila e ka menaxhuar këtë rast që nga momenti i parë, duke shtuar se kanë bashkëpunuar edhe me disa ekspert të hetimeve për krime serioze, për shkak se siç tha ai, Ivanoviç ishte i një karakteri të profilizuar dhe politikan aktiv.
Kreu i policisë kosovare, në fund tha se nuk mund të jap detaje lidhur me hetimet për arsye se rasti ka një natyrë të tillë, por theksoi se PK-ja do të punojë për ta zbardhur këtë rast sa më shpejtë.
Kujtojmë se sot në mëngjes në ora 8 e 20 minuta disa kryerës të panjohur kanë shtënë me armë zjarri ndaj liderit serb të Nismës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç.