Selman Aksünger
20 shtator 2022•Përditësim: 20 shtator 2022
Sipas një hulumtimi të porositur nga Dhoma e Avokatisë së Holandës (NOVA), mësohet se gjysma e avokatëve në vend janë sulmuar në vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në hulumtimin që NOVA porositi të kryhej nga një organizatë e pavarur, është zbuluar se gjysma e avokatëve në vend janë përballur me sulme në vitin 2021, kryesisht nga klientët e tyre.
Bëhet e ditur se 41 për qind e tyre janë sulmuar verbalisht, 34 për qind janë frikësuar, 18 për qind janë kërcënuar ndërsa 4 për qind janë sulmuar fizikisht.
Sipas hulumtimit të zhvilluar në mesin e rreth 1.100 avokatëve nga 18 mijë të regjistruar në NOVA, thuhet se 20 për qind të atyre që janë sulmuar mendojnë të lënë profesionin ndërsa 40 për qind janë sulmuar më shumë se një herë.
Në raport tërhiqet vëmendja se më së shumti janë sulmuar avokatët për çështjet penale dhe të përmbarimit.
Mësohet se më shumë se gjysma e sulmeve ka ardhur nga klientët e vetë avokatëve ndërsa në disa raste ka pasur sulme nga pala kundërshtare ose persona të tretë.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të NOVA-s, Jeroen Soeteman në një deklaratë në median lokale lidhur me raportin tha se zbulimet janë "tronditëse" por jo "surprizë".
Po ashtu në raport theksohet se nga grupet e profesioneve të tjera, 49 për qind e atyre që merren me politikë, 33 për qind e nëpunësve civilë dhe 82 për qind e gazetarëve janë përballur me sulme të ngjashme.