Beyza Binnur Dönmez
24 Shkurt 2022•Përditësim: 24 Shkurt 2022
Hungaria është solidarizuar me Ukrainën sot pasi Rusia filloi ndërhyrjen ushtarake të shumëpritur disa orë më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Fatkeqësisht, skenari më i keq, që është lufta, ka ndodhur dhe madje as përpjekjet diplomatike të vendeve më të mëdha dhe më të forta nuk mund ta pengojnë këtë”, tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto në një video-mesazh në Facebook.
"Qëndrimi i Hungarisë është i qartë. Ne mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës", tha ai.
Ai shtoi se Budapesti do të vazhdojë të marrë pjesë në të gjitha bisedimet e vendeve aleate për vendimet për një përgjigje të koordinuar.
Duke thënë se përfaqësitë e Hungarisë në Ukrainë, përfshirë ambasadën në Kiev, do të mbeten të hapura për të garantuar sigurinë e hungarezëve në vend, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që aktualisht janë në lindje të Ukrainës ose qendrore të kontaktojnë ambasadën.
Szijjarto tha se kishte folur me ambasadorin hungarez në Ukrainë, Istvan Ijgyarto, i cili e kishte informuar se në Ukrainën qendrore ende nuk ka konflikt.
Garda Kombëtare e Ukrainës ka dyfishuar forcat e saj duke mbrojtur ambasadën dhe të gjithë punonjësit janë të sigurt, shtoi Ijgyarto.
Sipas raporteve, Rusia po përdor armë dhe raketa për të shënjestruar zona të rëndësishme në qytete.
Sot herët u raportua për shpërthime në disa provinca të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev, kurse thuhet se automjetet ushtarake kaluan kufirin nga Bjellorusia në Ukrainë.
Ndërhyrja e Rusisë erdhi vetëm disa ditë pasi ajo njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore, duke tërhequr dënimin ndërkombëtar dhe kërcënimet për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.
Në muajt e fundit Rusia kishte grumbulluar mbi 100 mijë trupa rreth Ukrainës, por presidenti Vladimir Putin në mënyrë të përsëritur kishte mohuar se ka ndonjë qëllim për inavizion.