Haydar Karaalp
05 Nëntor 2021•Përditësim: 08 Nëntor 2021
Maratona e 5-të e Paqes në Bagdad sot u organizua nga "Klubi Sportiv Kundër Dhunës", për të cilën pati interesim të madh, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra të rinj morën pjesë në maratonën e zhvilluar përgjatë lumit Tigër në Bagdad, kryeqytetin e Irakut.
Husam Subhi, një nga organizatorët e maratonës, tha se qëllimi i këtij manifestimi është që përmes garës të bashkojnë segmente të shumta të shoqërisë.
"Maratonën për herë të parë e mbajtëm në vitin 2015. Në dy vitet e fundit pati ndërprerje për shkak të koronavirusit dhe protestave. Maratonën në Bagdad e quajmë 'maratona e paqes'", tha Subhi.
Ai tha se në vitin 2015 në garë morën pjesë 450 persona, ndërsa në maratonën e sotme më shumë se 1.300.
Subhi shtoi se edhe femrat treguan interesim të madh për maratonën e këtij viti.
Hanin Ali, një pjesëmarrëse 16-vjeçare, po merr pjesë në garën në Bagdad për herë të tretë. "Nuk kemi shumë aktivitete interesante për të rinjtë në vend", tha ajo.
Ajo theksoi se maratona bën bashkë të rinjtë dhe se ka një efekt shumë pozitiv për ta.