Ekip
19 Dhjetor 2018•Përditësim: 19 Dhjetor 2018
TEHERAN (AA) - Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Qasimi, deklaroi se vendimi i fundit i shtetit të Australisë për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds, duke e njohur Kudsin për kryeqytet të Izraelit, përbën shkelje të rezolutave ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për agjencinë iraniane të lajmeve, Azad, Qasimi e përshkroi vendimin e Canberras zyrtare “të gabuar dhe keq të vlerësuar”.
Nëse zbatohet, tha ai, vendimi do të shihet si një "shkelje e të gjitha rezolutave ndërkombëtare në lidhje me Palestinën dhe territoret e pushtuara nga ana e Izraelit".
"Një veprim i tillë nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes palestineze dhe çështjeve tjera në Lindjen e Mesme", shtoi ai.
Kujtojmë se të shtunën, kryeministri australian, Scott Morrison njoftoi për vendimin e shtetit të tij, që të njoh Kudsin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
Megjithatë, ai pohoi se Australia nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kudsin Perëndimor deri në arritjen e një paqeje mes Palestinës dhe Izraelit.
Më herët, më saktësisht në nëntor të këtij viti, edhe presidenti i ri i Brazilit, Jair Bolsonaro, bëri të ditur zhvendosjen e ambasadës në Kuds, në përputhje siç tha, me premtimet e fushatës zgjedhore.
Pas disa ditësh, Bolsonaro deklaroi se nuk ka një vendim të prerë mbi këtë çështje.
Në fund të vitit të kaluar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u bë lideri i parë që njohu Kudsin si kryeqytetin e vetëshpallur të shtetit hebre, një veprim që ngjalli zemërim dhe protesta në të gjithë botën arabe dhe muslimane.
Në maj të këtij viti, SHBA-të zhvendosën ambasadën nga Tel Avivi në Kuds.
Guatemala është shteti i parë që ndoqi SHBA-të, duke e zhvendosur ambasadën e saj në qytetin e shenjtë.