Lina Altawell
30 tetor 2026•Përditësim: 30 tetor 2026
Dy cisterna u ndaluan në Ngushticën e Hormuzit, teksa po përpiqeshin të kalonin përmes rrugëve të paautorizuara, njoftoi të premten Marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Marina e IRGC-së tha se njëra cisternë ndodhej në pjesën lindore të ngushticës, ndërsa tjetra në pjesën perëndimore, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.
Sipas saj, të dyja anijet kishin fikur sistemet e navigimit dhe të përcaktimit të pozicionit dhe po përpiqeshin të largoheshin nga Ngushtica e Hormuzit përmes rrugëve të paautorizuara.
Marina e IRGC-së pretendoi se anijet po operonin me mbështetjen e ushtrisë amerikane.
Sipas deklaratës, cisternat kishin hyrë në zona që Irani i konsideron të pasigurta, pasi kishin shpërfillur disa paralajmërime përmes radios, përpara se të ndaloheshin pranë brigjeve jugore të ngushticës.
Marina e IRGC-së tha se anijet gjithashtu kishin marrë flakë.
Në deklaratë nuk u identifikuan cisternat, flamujt nën të cilët lundronin apo ekuipazhet e tyre, ndërsa nuk u dhanë detaje të menjëhershme për viktima apo shkallën e dëmeve.
Në shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe objektivave amerikane në rajon, përpara se të arrihej një marrëveshje armëpushimi në prill.
SHBA-ja dhe Irani nënshkruan në qershor një memorandum mirëkuptimi lidhur me lirinë e lundrimit në ngushticë, por zbatimi i tij ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë në këtë korridor strategjik ujor, ndërsa tensionet vazhduan të përshkallëzoheshin.