Ahmet Dursun
11 Shkurt 2022•Përditësim: 16 Shkurt 2022
Anëtari në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Said Jalili tha se vendi i tij shet 1.2 milionë fuçi naftë bruto në ditë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një program në televizionin shtetëror iranian, Jalili dha informacione për shifrat e eksportit të naftës të vendit të tij.
Ai tha se sanksionet e vendosura nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump për të rivendosur eksportet e naftës të Iranit kanë dështuar. "Njerëzit që përpiqen të ushtrojnë presion maksimal ndaj Iranit thonë se kjo politikë ka dështuar dhe është një humbje e madhe për ta", tha Jalili.
Sipas tij, eksportet e naftës së vendit vazhdojnë. "Amerikanët synonin që askush të mos blinte naftë nga Teherani derisa shitjet e naftës të Iranit të arrinin zero. Por, deri më sot ministri ynë i naftës (Javad Owji) ka bërë të ditur zyrtarisht se kemi eksportuar 1.2 milionë fuçi naftë dhe se kemi marrë paratë nga kjo shitje", tha Jalili.
- Eksportet e naftës së Iranit ranë në mënyrë drastike me sanksionet e njëanshme të SHBA-së
Nën presidentin Trump, Washingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 dhe filloi të vendosë sanksione të njëanshme ndaj Teheranit. Pas sanksioneve, eksportet e naftës të Iranit, ekonomia e të cilit bazohet në naftë, ranë ndjeshëm.
Sipas statistikave të Ministrisë iraniane të Naftës, Irani, i cili prodhonte 3.8 milionë fuçi naftë bruto dhe kondensatë në ditë në prill 2018 përpara se SHBA-ja të dilte nga marrëveshja bërthamore, eksportonte 2.8 milionë fuçi nga kjo sasi.
Në këtë proces, Irani reduktoi prodhimin e tij të naftës në më pak se 2 milionë fuçi në ditë pasi kishte vështirësi në shitje dhe sasia e naftës së eksportuar nga Irani ra nën një mesatare prej 500 mijë fuçi në ditë.
Me ardhjen në pushtet të administratës së Joe Biden në SHBA, Washingtoni dhe Teherani filluan bisedimet indirekte për t'u kthyer në marrëveshjen bërthamore përmes Bashkimit Evropian (BE).
Në një fjalim të mbajtur më 13 janar, presidenti iranian, Ebrahim Raisi tha: "Eksportet e naftës u rritën me 40 për qind gjatë periudhës së qeverisë sonë. Paratë e marra nga kjo kthehen në vend".