Barry Ellsworth
22 Qershor 2020•Përditësim: 23 Qershor 2020
Një bashkëpunëtor i ngushtë kanadez i gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi është paralajmëruar nga policia se ai mund të jetë shënjestër e një vrasjeje ose rrëmbimi të mundshëm nga qeveria e Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Omar Abdulaziz, një kritik i shquar 29-vjeçar i Arabisë Saudite, është vënë në shënjestër të regjimit saudit për vite me radhë dhe ka shkaktuar zemërimin e Princit të Kurorës, Mohamed bin Salman (MBS).
Në një intervistë të zhvilluar dje me gazetën e Mbretërisë së Bashkuar "The Guardian", Abdulaziz tha se ai ishte paralajmëruar nga policia kanadeze për një komplot të mundshëm kundër tij.
"Policia kanadeze mori disa informacione në lidhje me situatën time që unë mund të jem një objektiv i mundshëm", tha Abdulazizi, i cili është në mërgim në Kanada.
"MBS dhe grupi i tij, ose nuk e di, ekipi i tij, ata duan të më lëndojnë mua. Ata duan të bëjnë diçka, por unë nuk e di nëse bëhet fjalë për vrasje, rrëmbim, nuk e di, por diçka nuk është në rregull me siguri", theksoi ai.
Kjo nuk është hera e parë që Abdulaziz është vënë në shënjestër të Arabisë Saudite.
Në vitin 2018, "Citizen Lab" nga Universiteti i Torontos i tha atij se telefoni i ishte hakuar, me gjasë nga sauditët. Pas kësaj, disa miq dhe familjarë të Abdulaziz u burgosën nga sauditët.
Por kjo nuk bëri që Abdulaziz të ndalet.
"Shumë njerëz janë të frikësuar", tha ai për CBC në vitin 2018.
"Dikush duhet të qëndrojë kundër kësaj dhe unë besoj se gjërat do të ndryshojnë së shpejti", shtoi ai, ndërsa kjo akoma nuk ka ndodhur.
Në vitin 2009, ai arriti në Kanada me një bursë për të studiuar anglisht në Universitetin McGill. Por ai u zhgënjye më shumë me shtypjen e Mbretërisë ndaj popullit të tij dhe u drejtua në YouTube dhe Twitter për të shprehur pakënaqësinë e tij. Ai ka një numër të madh të ndjekësve në Twitter.
Në vitin 2013, bursa iu revokua por atij iu dha azili politik në Kanada ndërsa vazhdoi kritikat e tij për regjimin.
Avokati i tij, Alaa Mahajna, tha se paralajmërimi i rrezikut këtë javë ka një rëndësi të veçantë.
"Në kontaktet e tij të mëparshme me qeverinë kanadeze, ai ishte gjithnjë i informuar në lidhje me kërcënimet dhe rreziqet e përgjithshme ndaj tij, por kësaj radhe është ndryshe", tha Mahajna.
“Paralajmërimi për kërcënime serioze për jetën e tij këtë herë ishte i ndryshëm. Ishte zyrtare dhe përcillej me një sens të qartë urgjence dhe këshille për të marrë masa paraprake. Ishte më e besueshme dhe më konkrete”, shtoi ai.
Ndërkohë, regjimi i Arabisë Saudite vazhdon të mohojë se është bashkëpunëtor në vrasjen e mikut të Abdulazizit, Khashoggi.
Përkundrazi, regjimi këmbëngul se vrasja ishte rezultat i një "operacioni mashtrues", andaj pesë persona u dënuan me vdekje dhe tre të tjerë u burgosën.
Mirëpo në muajin mars, Turqia shpalli aktakuza kundër 20 shtetasve sauditë për vrasjen e Khashoggi.
Khashoggi u hesht me vrasje, por Abdulaziz thotë se ndjehet i sigurt në Kanada.
"Në fund të fundit, jam mirë. Jam mirë këtu në Kanada", tha ai, duke shtuar se "shpreson që ata nuk do të bëjnë ndonjë marrëzi."