Islam Uddin
11 Mars 2021•Përditësim: 11 Mars 2021
Autoritetet shëndetësore të Koresë së Jugut miratuan përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të AstraZeneca për njerëzit e moshës 65-vjeç e lart, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Agjencia koreane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve tha se komiteti i vaksinimit të vendit rekomandoi përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 pasi studimet e rishikimit u kryen nga Britania e Madhe dhe Skocia, bëri të ditur agjencia e lajmeve Yonhap.
"Derisa rezultatet në Britani dhe Skoci u rishikuan, vaksina AstraZeneca u provua efektive në hospitalizim dhe parandalimin e rëndë në vlerësimin e të moshuarve", tha organi i kontrollit të sëmundjeve.
Vendi muajin e kaluar tashmë ka filluar fushatën e tij të vaksinimit dhe tani do të lejojë përdorimin e produkteve AstraZeneca për të gjithë të rriturit, duke përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pacientët në institucionet e kujdesit afatgjatë.
Koreja e Jugut më parë përjashtoi dhënien e vaksinave të zhvilluara nga gjigandi farmaceutik britanik-suedez AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit për të moshuarit, duke përmendur të dhëna të pamjaftueshme klinike.
Miratimi mund të përshpejtojë fushatën e vaksinimit të vendit për 376 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor dhe pacientë të moshës 65-vjeç e lart në sanatoriume, institucione infermierie dhe ambiente rehabilitimi këtë muaj, njoftoi agjencia.
Seuli nisi fushatën e vaksinimit më 26 shkurt dhe tashmë ka marrë vaksina AstraZeneca për rreth 289 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor dhe pacientë.