Elena Teslova
28 Shkurt 2019•Përditësim: 01 Mars 2019
Kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ai rus, Sergey Lavrov, në një bisedë telefonike kanë diskutuar zhvillimet e fundit në procesin e zgjidhjes politike siriane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria ruse e Punëve të Jashtme njofton se Çavuşoğlu dhe Lavrov shkëmbyen mendime për përpjekjet që ata bëjnë në kuadrin e formatit Astana.
“Ministrat riafirmuan angazhimin e ndërsjelltë dhe qasjet e përbashkëta në luftën kundër elementëve terroristë në Siri, në mënyrë që sa më parë të stabilizohet situata dhe vendi të ecë përpara në zgjidhjen e saj politike”, tha ministria ruse.
Çavuşoğlu dhe Lavrov po ashtu adresuan kontaktet e ardhshme dypalëshe të nivelit të lartë, pasi vitin e kaluar kontaktet turko-ruse ishin të intensifikuara. Udhëheqësit e të dy vendeve zhvilluan gjashtë takime dypalëshe gjatë vitit 2018.
Por, viti 2019 mori një ritëm edhe më të intensifikuar, pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, brenda dy muajve u takuan dy herë, ndërkohë dy takime të tjera priten të ndodhin në muajt e ardhshëm.
Në muajin mars, udhëheqësit do të takohen për bisedime në formatin Astana, ndërsa seanca e Këshillit të Bashkëpunimit Turko-Rus po ashtu do t’i bashkoj liderët në muajin prill.