Agim Sulaj
14 Maj 2026•Përditësim: 14 Maj 2026
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Këshillit ministror për integrim evropian, ku është diskutuar zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Bashkimit Evropian (BE) për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka thënë se opozita e ka penguar punën institucionale dhe procesin e reformave, raporton Anadolu.
Kurti në fjalën e tij në Qeverinë e Kosovës tha se bllokimi i cili ju bë Ligjit kundër pastrimit të parasë në Kuvendin e Kosovës, e bllokoi edhe zbatimin e marrëveshjes Sepa, ku afër 60 milionë euro në vit llogaritet të jenë humbjet në transaksione duke mos qenë pjesë e Sepa-s.
Ai tha se shumë veprime të ekzekutivit varen nga legjislativi pasi aktet nënligjore që janë paraparë në përgjegjësi të ministrave, derivojnë nga ligjet të cilat duhet të miratohen në Kuvend.
"Numri më i madh i reformave do të raportoheshin të kryera deri në fund të qershorit, në qoftë se krahas vullnetit të madh e të mirë e punës serioze të qeverisë sonë, do të kishim edhe një opozitë parlamentare serioze që merr përgjegjësinë e cila i takon në Kuvend. Ne jemi në një situatë ku e kemi një opozitë e cila zgjedh për të mos ardhur në Kuvend, edhe kur vjen shikon cilat ligje t'i bllokojë. Kjo është vërtet sfidë për ne si qeveri dhe është humbje e kohës dhe e mjeteve për ne si shtet”, theksoi Kurti.
Ai tha se pikërisht se Kosova nuk ka Kuvend por ka zgjedhje në vijim, një numër të madh të reformave nuk do të arrihet të përmbyllet me sukses brenda afatit të paraparë dhe paralajmëruar.
"Konkretisht kemi 10 reforma që skadojnë me 30 qershor, nëntë prej të cilave tashmë janë të rrezikuara duke shkaktuar humbje të miliona eurove. Bëhet fjalë për 12 projektligje, për hartimin e të cilave ministritë përkatëse kanë bërë punë të jashtëzakonshme duke i parafruar ato me ligjet në Bashkimin Evropian dhe me standardet evropiane", tha ai.
Kurti tha se mosvotimi i deputetëve të opozitës ka shkaktuar pasoja financiare duke ngadalësuar procesin e integrimit të vendit në BE.
Sipas tij, vendi duhet që menjëherë pas formimit të Legjislaturës së re të Kuvendit, të jetë gati për seancën e radhës, ashtu që afati i dhjetorit të mos rezultojë me humbje të mëtutjeshme, ngase janë gjithsej 79 hapa të reformave që përfshijnë periudhën 2024-2026 me vlerë financiare prej mbi 579 milionë euro.