Mücahit Aydemir
06 shtator 2020•Përditësim: 07 shtator 2020
Ushtria e Libisë njoftoi se milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të vendit kanë shkelur sërish armëpushimin duke sulmuar njësitë e ushtrisë me 10 raketa Grad (BM-21), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka siguruar nga burimet e ushtrisë së Libisë, mësohet se milicët e Haftarit në orën 22:30 sipas kohës lokale kanë kryer një sulm me 10 raketa Grad drejt pikave që u përkasin njësive të ushtrisë.
Në sulmin që milicët e Haftarit ndërmorën duke shkelur sërish armëpushimin e shpallur më 21 gusht, bëhet e ditur se nuk ka pasur asnjë humbje jete dhe se nuk janë dëmtuar pajisjet.
Shkelja e tretë pas vendimit të armëpushimit
Kryeministri i Libisë, Fayez al-Sarraj dhe kreu i Parlamentit të Tobrukut, Aguila Saleh, aleati politik i Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë, njoftuan më 21 gusht vendimin e marrë për armëpushim.
Pavarësisht armëpushimit, forcat e Haftarit kanë shkelur armëpushimin duke kryer sulme për herë të parë me 12 raketa më 27 gusht dhe për herë të dytë me 6 raketa më 2 shtator. Burimet e ushtrisë kanë transmetuar se në këto sulme deri më tani nuk ka pasur humbje.