Mustafa Talha Öztürk
02 tetor 2022•Përditësim: 03 tetor 2022
Qytetarët e Bullgarisë sot votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të katërtën herë në më pak se dy vjet, raporton Anadolu Agency (AA).
Zgjedhjet e parakohshme janë përpjekja e tretë për formimin e qeverisë në vend, pas dështimit për formimin e saj këtë verë.
Më 18 korrik, Partia Socialiste Bullgare (BSP) mori mandatin për të formuar qeverinë, të cilin më pas ia ktheu zyrtarisht presidentit Rumen Radev.
Paqëndrueshmëria politike mbretëron në Bullgari që kur qeveria e kryeministrit Kirill Petkov ra në një votë mosbesimi në qershor.
Njëzet e dy parti politike dhe gjashtë koalicione garojnë në zgjedhjet për 240 vende në Parlamentin e vendit anëtar të Bashkimit Evropian, i cili ka 6.52 milionë banorë, nga të cilët 1 milion janë turq.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi i votimit do të zhvillohet në mënyrë dixhitale në 9.400 lokacione në të gjithë vendin dhe 290 jashtë vendit.
Qendrat e votimit janë hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00 sipas kohës lokale. Votimi dixhital zhvillohet përmes gjithsej 11.063 aparateve për votim. Por, për çdo rast janë shtypur 8 milionë fletëvotime.
Bullgaria do t'i hapë kutitë e votimit nëpër botë për diasporën e saj dhe qytetarët me shtetësi të dyfishtë.
Më së shumti ka në Türkiye, 166 kuti votimi. Sondazhet e kryera në fillim të fushatës zgjedhore treguan se të paktën 8 forca politike mund të kalojnë pragun prej 4 për qind për Parlamentin e 48-të bullgar.
Partia "Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë" (GERB) e ish-kryeministrit Bojko Borisov, një parti e cila qeverisi për 12 vjet me intervale të shkurtra deri vitin e kaluar, pritet të fitojë më shumë vota.
GERB mori pjesë në fushatë me sloganin "Ne jemi më të fortë se kaosi".
Partia “Vazhdojmë të ndryshojmë” (PP), bashkëkryetar i së cilës është Petkov, sipas anketave do të jetë e dyta në Parlament. Slogani i partisë me të cilën ai u paraqit në fushatë ishte “Ejani ta përfundojmë punën".
Partia Socialiste Bullgare pro-ruse është ndër forcat e tjera politike me një shans për të hyrë në Parlament së bashku me partinë "Bullgaria Demokratike" dhe partinë pro-ruse të ish-ministrit të Mbrojtjes, Stefan Yanev, "Ngritja Bullgare".
Gjithashtu, Mustafa Karadayi, kryetar i partisë Lëvizja për të Drejta dhe Liri, shumica e të cilës janë turq dhe muslimanë të tjerë, pritet të jetë në mesin e katër forcave më të mëdha politike në Parlament në zgjedhje.
Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Bullgari u mbajtën në vitin 2021.