Afra Aksoy
20 shkurt 2019•Përditësim: 21 shkurt 2019
XHIDDE (AA) - Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI), ka dënuar bastisjet e forcave okupuese izraelite në Mesxhid-i Aksa dhe ka paralajmëruar për pasojat serioze që mund të shkaktojnë këto sulme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga OBI thuhet: "Dënojmë bastisjet e forcave okupuese izraelite në Mesxhid-i Aksa, tentativat për mbylljen e portës ‘Rahmet‘ si dhe sulmin brutal ndaj besimtarëve palestinezë që ruajnë në Aksa".
Sulmet e tilla, të cilat provokojnë ndjenjat e ummetit musliman, shkelin në mënyrë të qartë rezolutat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se Aksa është vend i adhurimit që u përket vetëm muslimanëve.
OBI gjithashtu vuri në dukje se përgjegjësia i takon Izraelit dhe forcave okupuese për çdo pasojë që mund të lind nga vazhdimi i përsëritjes së këtyre sulmeve dhe të cilat ushqejnë konfliktet fetare, ekstremizmin dhe destabilitetin.
Policia izraelite të dielën i vendosi zinxhirë portës "Rahmet" në lindje të mureve të faltores Mesxhid-i al-Aksa, e cila tashmë ka qenë e mbyllur nga viti 2003.
Pas kësaj forcat izraelite arrestuan disa të rinj palestinezë të cilët u mblodhën në Aksa dhe më pas mbylli të gjitha portat e Aksasë. Po ashtu edhe mbrëmë disa nga besimtarët që ruanin portën ‘Rahmet‘ u përballën me sulmin e policisë izraelite.
Mesxhidi al-Aksa, i cili ndodhet në Kudsin Lindor të pushtuar, është kibleja (orientimi gjatë namazit) e parë e muslimanëve.