Ali Abo Rezeg
02 Korrik 2019•Përditësim: 02 Korrik 2019
Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka dënuar ashpër hapjen e një tuneli nga autoritetet izraelite në jug të kompleksit të xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët izraelitë hapën tunelin të dielën nën lagjen Silvan në Kudsin Lindor, me pjesëmarrjen e ambasadorit të SHBA-së në Izrael David Friedman dhe të dërguarit për Lindjen e Mesme Jason Greenblatt.
Në një deklaratë, OBI tha se hapja e tunelit "synon ndryshimin e statusit historik dhe ligjor të qytetit të Kudsit".
"Këto veprime janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të legjitimitetit ndërkombëtar", tha organizata me bazë në Xhide.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, në të cilin gjendet Mesxhid al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967.
Në një masë që asnjëherë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare, Izraeli aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, duke e cilësuar atë si "kryeqytet të përjetshëm dhe të pandarë" të shtetit të vetëshpallur hebre.
Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë pas Mekës dhe Medinës. Hebrenjtë i referohen zonës si "Mali i Tempullit", duke pretenduar se kjo zonë ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.