Umar Farooq
29 Gusht 2018•Përditësim: 29 Gusht 2018
WASHINGTON (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, mes shenjave të një ofensive të afërt nga forcat e regjimit sirian në një provincë të mbajtur nga opozita, tha se përshkallëzimi ushtarak në Sirinë veriperëndimore do të çojë në pasoja katastrofike për civilët, raporton Anadolu Agency (AA).
Guterres përmendi në raportin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se një rritje e aktivitetit ushtarak mund të shkaktonte lëvizje masive të popullsisë në vend dhe t’i linte banorët e rajonit me qasje të kufizuar në ndihmën humanitare dhe shërbimet themelore.
Deklarata e tij erdhi pasi OKB-ja paralajmëroi për një operacion të planifikuar nga forcat e regjimit në Idlib, që do të çonte në një “fatkeqësi humanitare”.
Guterres theksoi se aktiviteti ushtarak është një “prirje shqetësuese”, veçanërisht në Sirinë veriperëndimore, ku vazhdojnë të jetojnë rreth 3 milionë sirianë.
“Unë përsëris se autorëve të shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare duhet t’u kërkohet llogari. Një hap i tillë është thelbësor për të arritur paqe të qëndrueshme në Republikën Arabe të Sirisë dhe gjithashtu përsëris thirrjen time për situatën në vend që t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, tha Guterres.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin gjakderdhjen dhe “të respektojnë marrëveshjen e de-eskalimit”, si dhe tha se të gjitha palët në konflikt duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të mbrojnë civilët.
“Mund të kemi vetëm një axhendë për të gjithë ne, t’u japim fund vuajtjeve të popullit sirian dhe të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin në vend përmes një procesi politik gjithëpërfshirës sirian që i plotëson aspiratat legjitime të popullit sirian”, u shpreh Guterres.
Mbi 2 milionë njerëz që janë zhvendosur në të gjithë Sirinë erdhën në veriperëndim të Sirisë për të kërkuar strehim, por sipas qeverisë britanike këtë vit tashmë kanë ndodhur të paktën 37 sulme ndaj objekteve shëndetësore në rajonin Idlib, ndërsa civilët, punjësit e ndihmës dhe personeli mjekësor kanë frikë për sigurinë.
Në luftën brutale shtatëvjeçare civile në Siri janë vrarë rreth 400 mijë njerëz, janë zhvendosur më shumë se 11 milionë njerëz. Lufta ka çuar në një mungesë të madhe të ushqimit, ujit të pastër dhe kujdesit shëndetësor.